Google ADS

Viti 2024, vit i vizave/ Sa i vizituan kosovarët vendet Schengen

13:00 | 1 Janar 2025
K.B

Zëdhënësja e Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, Valentina Gara në një intervistë për Arbresh.info njofton se Aeroporti i Prishtinës ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve që nga liberalizimi i vizave në janar të vitit 2024.

“Duke pasur parasysh që nga një janari i këtij viti kemi qenë “viza free” ne që nga ai muaj kemi pasur rritje të numrit të udhëtarëve megjithatë një trend të rritjes të numrit të udhëtarëve është duke vazhduar për vite të tëra në ANP, në rast se bazohemi në shifra atëherë ne gjatë këtij viti kemi një rritje pothuajse çdo muaj ndërkaq nëse vlen të përmendet vetëm në muajin nëntor kemi pasur diku një rritje diku për 38 për qind krahasuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, pohon Gara.

Por, a i respektuan kosovarët rregullat e vizës Schengen sipas Garës dhe cilat ishin sfidat kryesore me të cilat është përballur Aeroporti i Prishtinës pas liberalizimit të vizave.

“Një nga sfidat kryesore me të cilat jemi ballafaquar që nga koha e liberalizimit të vizave kanë qenë çështja e dokumentacionit përkatës, ose e dokumenteve të nevojshme edhe pse nuk na është nevojitur një vizë, patjetër që duhet të kemi dokumentet e tjera shtesë, siç është sigurimi shëndetësor, më pas bileta kthyese, e kështu me radhë. Po ashtu, sfida tjetër që ka qenë të cilën e jemi përballuar është edhe tejkalimi i ditëve të caktuara në zonën Schengen, ne kemi bërë edhe një thirrje qysh me fillimin liberalizimit të vizave që qytetarët të kenë kujdes dhe të përfillen të gjitha procedurat e udhëtimit që kërkohen nga shtetet Schengen”, thotë ajo.

Gara tha se, ndërkohë që nuk është vënë re një rritje e madhe pas liberalizimit të vizave, çdo muaj ka pasur një rritje prej 17-18% në numrin e udhëtarëve.

“Duke pasur parasysh që viteve të fundit kemi pasur një trend në numër të rritjeve të udhëtarëve nuk është se kemi vërejtur ndonjë shifër shumë të madhe sa i përket liberalizimit të vizave ,megjithatë ne çdo muaj kemi pasur një rritje diku 17-18 për qind në numër të udhëtarëve, ndërkaq nëse marrim një shifër totale për të gjithë muajt gjatë tërë vitit, deri në muajin dhjetor kemi diku rreth 10 për qind në rritje të numrit të udhëtarëve krahasuar me vitin e kaluar”, thekson ajo.
Për të përballuar fluksin e udhëtarëve, Gara thotë se Aeroporti i Prishtinës ka investuar në zgjerimin e infrastrukturës. Sipas saj, janë edhe disa investime që parashihen të bëhen në 2025.

“Ne kemi qenë të përgatitur për fluks edhe më të madh të udhëtarëve në rast se do të paraqitej, kështu që ne kemi bërë zgjerimin e infrastrukturës së aeroportit, ku nga tetë porta kemi shtuar edhe katër, ku kemi bërë 12 porta të udhëtimit. Përpos këtyre zonave, ne po ashtu kemi vendosur sisteme të reja të digjitalizimit për udhëtarë siç është “Self checking” , jemi në proces e sipër edhe të disa investimeve të reja, të cilat janë të parapara në vitin 2025”, thotë ajo.

Gara, sqaron se vonesat, siç ndodhin në të gjitha aeroportet botërore, mund të ndodhin veçanërisht gjatë sezoneve të ngarkuara, si vera dhe dimri.

“Vonesa sikurse edhe në të gjitha aeroportet e botës, edhe aty ku nuk kërkohet vizë, edhe aty ku kërkohet viza mund të ketë, sidomos gjatë sezonës së verës apo gjatë sezonës më të ngarkuar të dimrit. Megjithatë nuk kemi pasur vonesa të caktuara për shkak të motit ose të mjegullës, ndërkaq këto vonesa apo anulime për shkak të motit veç janë evituar për shkak të investimeve që kemi bërë në pistë dhe në rritjen e kapaciteteve të ndriçimit”, thotë ajo.

Ajo tregon se Aeroporti i Prishtinës ka zgjeruar ofertën e tij me linja ajrore, të cilat nuk janë shërbyer më parë si në shtetet Schengen, ashtu edhe në shtetet e tjera siç është Turqia.

“Duke e pasur parasysh që bashkatdhetarët tanë që jetojnë më shumë në shtetet si Zvicra, Gjermania të cilat janë më të afërta për udhëtime me Kosovën kemi pasur vizita më të mëdha në këto dy shtete në Austri më pas edhe në Turqi”, përfundon Gara.

Në fund, ajo rithekson se Zvicra mbetet gjithmonë ndër destinacionet kryesore për udhëtarët nga Kosova, duke pasur parasysh numrin e madh të bashkatdhetarëve që jetojnë atje./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme