Viti 2024 në Kosovë u shënua nga zhvillime të rëndësishme politike, kryesisht të lidhura me çështjet e sigurisë.
Këto ngjarje përfshijnë sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, hapjen e urës së Ibrit, dhe zbatimin e një rregulloreje të re për përdorimin e euro-së si monedhë të vetme në vend.
Vendimet e Qeverisë u përballën me reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Veç euro, s’ka më dinarë
Në shkurt të këtij viti, hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
SHBA kërkoi shtyrjen e zbatimit, ndërsa theksuan se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Ndërkaq, BE-ja tha se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit në kuadër të dialogut.
Megjithatë, zgjidhja nuk u gjet, zbatimi vazhdon.
Ura e Ibrit
Një nga temat më të diskutuara ishte edhe ura e Ibrit.
Çështja e urës u hap në një takim mes kryeministrit Albin Kurti me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian.
Insistimi për hapjen e urës kishte hasur në rezistencë të madhe ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian kishte theksuar se hapja e urës është temë e dialogut dhe se çdo vendim për të duhet të merret përmes dialogut.
Ndonëse raporti fillestar që u publikua nga Ministria e Infrastrukturës para disa muajve vlerësoi se kjo urë është e qëndrueshme, ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve ndërsa është e hapur vetëm për këmbësorë.
Ani pse nuk ka një datë të caktuar për hapjen e urës, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se nuk do të lejojnë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht.
Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit
Më 29 nëntor 2024, Kosova u bë cak i një sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në komunën e Zubin Potokut. Ky sulm, i cili dëmtoi rëndë infrastrukturën e ujësjellësit dhe shkaktoi probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike, u cilësua nga kryeministri Albin Kurti si një akt kriminal dhe terrorist.
Kryeministri Kurti tha se prapa këtij sulmi qëndron Millan Radoiçiq përgjegjës edhe për sulmin terrorist në Banjskë.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Ky shpërthim ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në tërë vendin me qëllim të, siç thuhet në njoftimin e saj, “parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme”.
Po ashtu, para se të ndodhte sulmi në Zubin Potok, kishte pasur edhe dy incidente me mjete plasëse në veri, një në afërsi të Komunës së Zveçanit dhe një sulm me granata dore në stacionin policor në këtë komunë.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Jovan Viqentijeviq, i dyshuar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Kurti së fundmi tha se prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan Radoiçiq përgjegjës edhe për sulmin terrorist në Banjskë.
Rezervat shtetërore, Prokuroria Speciale thërret Kurtin për intervistim
Pasi disa nga ministrat e kabinetit të tij qeverisës u intervistuan, radha i erdhi edhe kryeministrit.
Më 11 dhjetor, Prokuroria Speciale i dërgoi ftesë kryeministrit Albin Kurti për intervistim mirëpo i njëjti nuk u paraqit meqë ndodhej në vizitë zyrtare.
Nuk iu shkoi në zyre, por u kërkoi t’i shkonin në zyre duke propozuar tri data.
Kush në zyrën e kujt po shkon, nuk dihet ende.
Mocertifikimi i Listës Serbe
Një tjetër ngjarje që shkaktoi reagime të shumta ishte vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2024.
Kujtojmë që ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në veri më ç’rast u vra një oficer i policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku.
Moscertifikimi i Listës Serbe nxiti reagime.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu siç tha shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe.
Zëdhënësi i ambasadës amerikane tha se veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi i hapin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.
Ky vendim u mor pas një qëndrimi të ashpër nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kundërshtuan certifikimin e një subjekti politik që, sipas tyre, nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka lidhje me grupe kriminale.
Po ashtu, Lista Serbe nuk u lejua të marrë pjesë në seancën e 5 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës.
Pengesë për këtë u bënë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ndërpreu seancën duke u treguar i ashpër me deputetët e kësaj partie.
Ai u tha se vijnë në kuvend vetëm për t’i keqpërdorur paratë e taksapaguesve, ndërsa në anën tjetër e luftojnë Kosovën me çdo mjet që kanë.
“…shkoni dhe i rrini gatitu shefit tuaj kriminel, Radoiçiqit, dhe keni guxim të vini këtu në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, kërkoj të ndërprehet kjo seancë dhe kërkojë ta lironi Kuvendin e Kosovës”, tha Konjufca.
Megjithatë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Sulme para dhe pas Vitit të Ri
Më 24 dhjetor, Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se mund të ndodhin ende sulme të reja terroriste nga Serbia sidomos në veri.
Kurti tha se sulme të tilla mund të ndodhin para dhe pas Vitit të Ri.
“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, deklaroi Kurti./Arbresh.info/ Erolinda Gashi/
I mituri hedh mjet piroteknik në drejtim të KFOR-it në Mitro...
Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë, policia nis ...
Një grua raporton në polici për zhdukjen e dy vajzave të saj...
Policia jep detaje për plagosjen me armë në Prishtinë, i dys...
KQZ sot mban mbledhjen e radhës
Parashikimi i motit në Shqipëri