Kosovarët edhe në vitin 2018 do të hyjnë të izoluar. Ashtu sikurse viti 2017 dhe vitet paraprake duket se edhe këtë vit ka shumë pak shpresa që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në vendet në të cilat ata duan.
E gjithë kjo, pasi që Bashkimi Evropian ende nuk po e sheh të arsyeshme që të bëjë liberalizimin e vizave për kosovarët, sepse sipas BE-së ende nuk janë plotësuar kriteret e parapara.
Një gjë e cila filloi t’u japë pak shpresë popullit për liberalizim ishte marrja e postit të kryeministrit nga Ramush Haradinaj, i cili premtoi se do të bëjë të pamundurën që ky proces të përfundojë. Mirëpo edhe ky sikur pararendësit e tij duket se premtimet i patën vetëm sa për të ardhur në postin që duan, pasi që edhe ky proces po vazhdon t’i mbajë të mbyllur kosovarët. Por, premtimet e kryeministrit Haradinaj ende po vazhdojnë. Së fundmi Haradinaj në deklaratat e tij për media premtoi se liberalizimi i vizave do të ndodh në mars të vitit të ardhshëm.
Kurse, në udhëtimin që pati kryeministri Haradinaj në muajin dhjetor në Bruksel për të marrë pjesë në takimin jo formal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u tha se një ndër temat që do të bisedojë Haradinaj ishte edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Mirëpo nuk pati asgjë pozitive as nga ky takim lidhur me këtë proces.
Qytetarët shprehen të lodhur e të frustruar nga këto deklarata të politikanëve kosovarë. Ata për arbresh.info kanë thënë se do të duhej që edhe politikanët t’i mbajnë të izoluar ashtu sikurse po mbahen qytetarët.
“Na kanë lodhë. Vetëm premtime e gënjeshtra për vizat, kurse ne u mbytëm me një krah letrash duke qëndruar përball ambasadave për të marrë një vizë. Paguaj atë paguaj këtë, kjo nuk është e drejtë”, ka thënë Marigona, studente në Universitetin e Prishtinës.
Kurse sipas juristit Edon Gashi, politikanët kanë rënë në kthetrat e BE-së duke pranuar kushte që nuk do të duhej të ishin për liberalizimin.
“Politikanët tanë i kanë fajet. Janë të tepërta këto kushte që BE-ja i ka vënë Kosovës për liberalizim madje disa prej tyre janë edhe të kota. Mirëpo, këtu nuk i ka fajet BE, por politikanët tanë që nuk kanë vendosmëri që të luftojnë për të drejtat e popullit të tyre. Po ndihemi të burgosur në vendin tonë të lirë tashmë e sa vite”, ka thënë ai.
Analisti Emrush Ujkani në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se duke dhënë afate e data për këtë proces vetëm sa mund të plotësojnë dëshira të të tjerëve.
“Ne duhet të pajtohemi me faktin se dinamika e zhvillimeve varet se sa punohet konkretisht dhe një nga sfidat që i ka ngritur BE-ja është demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit dhe sa jemi të aftë për t’i realizuar këto gjëra. Realisht kjo varet nga dinamika e punës dhe jo se kur mund të jetë afati. Ne sa për t’i dëshiruar dikujt një vit të mirë mund të japim afate, por nuk e besoj se ato janë realiste, sepse realistet bëhen vetëm atëherë kur kemi një politikë shumë konkrete dhe të na bindin cilët janë hapat që duhet të ndërmerren”, ka thënë ai.
Ndërsa analisti, Avni Islami ka thënë për portalin arbresh.info se çështja e liberalizimit të vizave ka mbetur si temë në vete që secila Qeveri po përpiqet që sipas tij të përmirësojë dobësitë, mangësitë ose mospunën e saj.
“Kjo është thjesht çështje politike dhe kahja ka marrë rrjedhën se cili dhe kush ka të drejtë. Tashmë botërisht dihet se SHBA dhe miqtë tanë në mënyrë deklarative kanë thënë se ne e pranojmë versionin e demarkacionit që e ka nënshkruar ish Qeveria e Isa Mustafës dhe mendoj që kjo do të jetë vetëm humbje e kohës dhe pres që në vitin 2018 për shkak të trysnive në kuptimin pozitiv të miqve tanë do të duhej që të miratohej ai version ose me pak ndryshime. Mirëpo pavarësisht miratimit të kësaj marrëveshje liberalizimi i vizave do të zgjas më shumë sepse janë procedura të caktuara që përdoren nga ana e BE-së. Por do të ishte sukses që në fund të vitit 2018 të bëhej liberalizimi i vizave e jam skeptik që edhe në vitin 2018 do të përfundoj ky proces”, është shprehur Islami.
Edhe Bajrush Morina, njohës i çështjeve politike theksoi se vizat nuk hiqen kur duan politikanët e Kosovës. Ai për portalin arbresh.info tha se duhet plotësuar dy kriteret e vendosura nga BE që të ndodh ky proces.
“Vizat hiqen apo lëvizja e lirë e qytetarëve të Republikës së Kosovës fillon atëherë kur Kosova I plotëson dy detyrat kryesore dhe atëherë kur Brukseli i vlerëson pozitivisht këto “dy detyra”. Krejt të tjerat janë “fontanë dëshirash” e premtime të rrejshme elektorale e politike të liderëve politikë. Këtë premtim e ka nisur i pari Hashim Thaçi, e ka vazhduar Isa Mustafa dhe po e përsërit Ramush Haradinaj. Pra vizat nuk hiqen kur do Hashimi Isa e Ramushi por kur thotë Mogherini e Brukseli”, tha ai./Valdete Berisha/Arbresh.info
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...