Fundi i vitit 2017, Kosovën e kishte gjetur në një pozicion kritik, e diametralisht e kundërt ishte situata 12 muaj më vonë: nga tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, tek fillimi i ballafaqimit me këtë institucion.
Puna e Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorit të Specializuar u prit se mund të ngadalësohej me largimin e befasishëm të Prokurorit të Specializuar, David Schëendiman.
Në vend të tij, në muajin maj u emërua prokurori amerikan Jack Smith, që me vete sillte një përvojë të gjatë, përveç në sistemin e drejtësisë në SHBA e edhe në raste ndërkombëtare.
Vendin e lënë bosh nga Shëendiman e kishte zënë përkohësisht zëvendësi i tij, derisa Jack Smith nisi punën në muajin shtator, dhe nuk vonuan lajmet nga Haga, raporton KTV.
Madje Sokol Dobruna, që kishte udhëhequr me Gjykatën Ushtarake të UÇK-së, dhe një tjetër ish-kolonel i UÇK-së, Safet Syla, u morën në pyetje fillimisht në Prishtinë, ndërsa në janar do të paraqiten të tjerët pranë të Dhomave të Specializuara dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Me gjithë thirrjet për t’iu përgjigjur ftesave të speciales, njëri prej tyre bëri të ditur se do të refuzojë që vullnetarisht të shkojë në Hagë.
Viti 2018, kishte nisur me dënimin e Albin Kurtit dhe të tjerëve, për hedhje gazi lotsjellës, që në total morën 5 vjet e 5 muaj burg me kusht.
Dënimin e 3 janarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator e vërtetoi Gjykata e Apelit.
Siç ishte vepruar në vitin 2017, për vepra të ngjashme, Pal Lekaj, Time Kadrijaj e Teuta Haxhiu, asnjëherë nuk u thirrën të përballen me drejtësinë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Megjithatë, tani Ministri Lekaj, në komunën e tij, Gjakovë, doli para gjykatës në akuzat për korrupsion për kohën sa udhëhiqet me Komunën.
Fatmir Limaj, doli i pafajshëm nga procesi i njohur si “Bellanica” ku akuzohej për krime lufte.
Po për krime lufte, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Zoran Vukotiq u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim, pasi kishte torturuar të burgosur civilë shqiptarë në burgun e Smrekonicës.
Për vrasjen e gruas dhe të bijës, Pjetër Ndrecaj, u dënua me 24 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Gjakovës.
Në gjykatë gjatë këtij viti nuk u mbajt asnjë seancë për rastin e vizave italiane ku mes të akuzuarve janë edhe Ukë Rugova e Astrit Haraqia.
Edhe një tjetër rast, i njohur si “Toka” që më herët udhëhiqej nga EULEX- u zvarrit e seancat mezi mbaheshin nga mungesa e të akuzuarve.
Është e vërtetë që ka pasur aktakuza për korrupsion edhe për zyrtarë të lartë të shtetit. Gjithnjë janë pasuar me debatin nëse ato kanë qenë cilësore marrë parasysh se shumë prej tyre janë hedhur nga gjykatat. Por, edhe një e dhënë e bërë e ditur nga Betimi për Drejtësi është e vërtetë: aktgjykim të plotfuqishëm për korrupsion në tri vitet e fundit në rastet e profilit të lartë, ka vetëm ndaj një ish-kryetari të një komune të vogël si ajo e Kllokotit, dhe ai dënim ka qenë me kusht.
Gjykata Themelore në Gjilan, nuk veproi ndryshe me një rast që dikur i takonte profilit të lartë.
Dënim me 1 vit burgim me kusht shqiptoi për ish-kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, e me dënime më të ulëta po ashtu me kusht, u dënuan edhe ish-zyrtarë të tjerë që ishin të akuzuar në këtë rast.
Në një tjetër rast mjaft të komentuar, Gjykata Themelore e Prishtinës, brenda një muaji gjykoi dhe shqiptoi dënim për ish-zëvendësministrin Musa Cena.
6 muaj burgim, ia ktheu në dënim me gjobë prej 5 mijë euro, pavarësisht se ishin kapur në flagrancë duke kërkuar ryshfet 30 mijë euro.
Rasti “Pronto”, nuk kishte si të niste ndryshe pos me përshëndetjen Pronto, dhe për herë të Adem Grabovci, Besim Beqaj dhe 10 të akuzuar të tjerë, dolën para gjykatës për tu ballafaquar me akuzën për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.
Mjaft kokëçarje i kishte sjellë ky rast edhe kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, por asgjë krahasuar me ato telashet që ju dolën me një tjetër rast.
Për shumë kë një hero që kishte vendosur të demaskoj një sistem të kapur nga politika, për dikë tjetër një hajn i pulave.
Elez Blakaj, një prokuror që si pjesë e Prokurorisë Speciale kishte pasur kryesisht raste të krimeve të luftës, ishte i caktuar në një lëndë aspak të lehtë.
Hetimin e listave të veteranëve, pas një pune të gjatë e të mundimshme, e kishte konkretizuar me një aktakuzë voluminoze.
Gjetjet ishin skandaloze: afër 20 mijë veteranë të rremë që i kushtonin buxhetit të shtetit dhjetëra milionë euro çdo vit.
12 anëtarët e komisionit qeveritar që kishin aprovuar listat e veteranëve ishin të akuzuarit, e përfshinin ministra, zëvendësministra, deputetë.
Aktakuza doli në publik vetëm pas njoftimit për dorëheqjes së Blakajt, çka nxiti një valë reagimesh e fyerjesh ndaj tij nga politika.
Blakaj përmendi presionin që i kishte ardhur gjatë punës në këtë rast, përveç nga të përfshirët në rast, përfshirë nga kryeprokurori Lumezi e kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj.
Të gjithë akuzat e tij u hodhën poshtë kategorikisht nga të gjithë të përmendurit.
Ndaj Blakajt, nisi një fushatë e egër, por kjo situatë, solli edhe reagimin qytetarë dhe nisën protestat ku kërkohej shkarkimi i kryeprokurorit Lumezi.
Në përgjigje të presionit qytetarë, Prokuroria Speciale, pas një kohë e dërgoi në Gjykatë aktakuzën, por me disa ndryshime, duke shtuar edhe emra të tjerë, e ku ishin përfshirë edhe veteranë të vërtetë.
Tani kjo acaroi organizatat e dala nga lufta, që gjithashtu protestuan, e përfundimisht Gjykata Themelore e Prishtinës, e ktheu për plotësim dhe përmirësim aktakuzën.
Pavarësisht se kishin dy muaj në dispozicion, vetëm në ditën e fundit kjo prokurori arriti t’ia kthejë Gjykatës aktakuzën.
Rasti i veteranëve të rremë, si asnjë tjetër gjatë këtij viti, ka vënë në pah brishtësinë e një sistemi, që assesi nuk po e bind qytetarin se është i drejtë dhe i pa anshëm.
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe