“VisaMetric” ua kompenson qytetarëve kthimin e 30 eurove që ua kishte marrë për shërbime postare

14:36 | 23 Maj 2023
L G

Gjatë ditës së sotme në pranga të Policisë së Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka rënë drejtori i kompanisë “VisaMetric”, e cila është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës.

Prangosja e shtetasit turk S.O, erdhi pasi kompania “VisaMetric”, e cila drejtohet nga ai nuk respektoi vendimin e Gjykatës Komerciale, vendim ky që ia kishte ndaluar kompanisë në fjalë që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë në vlerë prej 30 euro.

Por, tashmë kjo kompani ka nisur të bëjë rumbursimin e këtyre mjeteve për qytetarët të cilët ishin detyruar të paguajnë shumën prej 30 euro për shërbime postare.

Arbresh.info ka vizituar zyrat e kompanisë “VisaMetric”, ku ka takuar edhe qytetarët të cilët po prisnin për të aplikuar për viza.

Ata na treguan se zyrtarë të kësaj kompanie u kanë thënë se do ua kthejnë paratë nëse ata duan të vijnë të marrin dokumentet fizikisht dhe jo përmes shërbimit postar.

“Po na i kanë marr paratë, por kanë mbet me na i rimbursu. Ne e bëmë kërkesën dhe do na i rimbursojnë”, tha njëri nga qytetarët që ishte detyruar të bënte pagesën prej 30 eurosh.

“Na e këna paguar onlinë atë. Tash brenda na tha a doni me lënë kështu qysh e keni pagu, apo doni me ardh vetë me i marrë dokumentet e me ua kthy paret”, tha një tjetër qytetarë, i cili tha se ka vendosur ta përdor shërbimin postarë.

Ndryshe, ditë më parë Arbresh.info pati raportuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj “VisaMetric” për mos ekzekutim të vendimit të Gjykatës Komerciale, e cila ia kishte ndaluar kësaj kompanie që t’i detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, pagesë kjo në vlerë prej 30 euro./Arbresh.info/

Të ngjashme