Google ADS

Vijnë dyshimet e para për marrëveshjen për Demarkacionin, s’ka rishikim të vijës kufitare

08:07 | 20 Shkurt 2018
M. A.

Aneks marrëveshja e nënshkruar ditë më parë nga Presidentët ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi Filip Vujanoviq për shënjimin e vijës kufitare mes dy vendeve po shihet me skepticizëm dhe si një marrëveshje politik. Madje Lëvizja Vetëvendosje po e quan si marrëveshje të padrejtë dhe mashtruese, shkruan portali arbresh.info.

Ndonëse në këtë marrëveshje thuhet se pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015, do të formohet një Trup Punës i përfaqësuar nga dy vendet për të rishqyrtuar edhe një herë vijat kufitare, analisti politik Blerim Burjani thotë se kjo nuk do të ndodh.

Sipas tij kjo marrëveshje, pasi të votohet në Kuvend do të përfundojë përgjithmonë.

“Ky aneks është politik dhe nuk ka asnjë ndryshim nga ish marrëveshja kjo temë përfundon përgjithmonë, s’ka rishikim dhe loja politike, kur ekspertët pajtohen si në marrëveshjen e kaluar për demarkacion politika veç e konfirmon. Andaj kjo çështje më nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë temë në mes dy shteteve. Pra s’ka aneks marrëveshje por ka aneks politik që nuk garanton se në të ardhmen e afërt do të rishikohet kufiri”, thotë ai për portalin Arbresh.info.

Sidoqoftë, Burjani e sheh si një hap pozitiv për të dalë nga kriza që ia ka sjellë kjo temë Kosovës.

Marrëveshje politike e quan edhe Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi.

Ai thotë se Trupi i Përbashkët Punues i cili pritet të formohet pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion do të zgjasë rreth dy viteve.

Ai ka shtuar se kushdo që do të jetë në atë grup punues, do ta ketë një detyrë të rëndësishme dhe sfiduese.

“Sa i përket shënjimit të vijës kufitare apo siç e quajmë ne demarkimit për një periudhë prej 2 vitesh, ne nuk mund të themi asgjë, sepse ajo varet nga grupi i përbashkët punues që do ta caktojë ndonjëri nga institucionet e Kosovës. Kualiteti profesional, patriotik dhe intelektual i anëtarëve të atij grupi punues do të jetë çelësi i suksesit dhe ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Ne nuk mund të predikojmë se kush mund të jetë në atë grup punues, por e dimë se i pret një detyrë e rëndësishme dhe sfiduese”, ka thënë Bulliqi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq  të premten kanë nënshkruar një aneks marrëveshje, në të cilën janë dakorduar që çështja e Demarkacionit të zgjidhet sa më shpejt.

Sipas kësaj marrëveshje, Republika e Kosovës do ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin të arritur në gusht të vitit 2015.

Pasi të konstatohet nga të dy shtetet se Demarkacioni është ratifikuar dhe marrëveshja ka hyrë në fuqi, sipas kësaj marrëveshjeje do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare.

Gjithashtu ata janë pajtuar se gjatë këtij procesi, Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka shtyre seancën e jashtëzakonshme që e ka thirrur për të ratifikuar këtë marrëveshje. Ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se kur do të thirret seanca, por, kryeministri Haradinaj ka bërë me dije dje se gjatë kësaj jave do të përfundojë kjo çështje./MiraAvdimetaj/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme