Veturë, gjenerator, kompjuterë e laptopë – SHKK pranon donacionin më të madh të dhuruar ndonjëherë nga EULEX

12:00 | 30 Dhjetor 2024
E.G

Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka pranuar donacion e radhës nga EULEX.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar për këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, z. Ismail Dibrani, së bashku me Udhëheqësin e Shtyllës së Monitorimit të EULEX-it, Giovanni Galzignato, dhe Shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko, nënshkruan marrëveshjen për pranim-dorëzimin e këtij donacioni, përcjell Arbresh.info.

Sipas njoftimit, donacioni, i konsideruar si më i madhi deri më tani për SHKK-në, përfshin pajisje moderne, duke përfshirë: një veturë, një gjenerator, 293 kompjuterë dhe laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike, si skanerë, printerë, telefona, radio-lidhje dhe inventarë për zyrë.

Gjatë fjalës së tij, Dibrani shprehu falënderime ndaj EULEX-it për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se donacioni do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e pajisjeve teknike.

“Kjo ndihmë do të kontribuojë në avancimin e standardeve dhe efikasitetit të institucioneve tona korrektuese,” tha ai.

Nga ana tjetër, Galzignato dhe Melkko vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se ky donacion është një pasqyrë e angazhimit të EULEX-it për të mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.

Ky moment shënon një hap të madh drejt modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve të SHKK-së, duke theksuar rolin e rëndësishëm të partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e institucioneve tona korrektuese./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme