Vetëvendosje propozon rezolutë për dialogun

17:06 | 17 Shtator 2020
L G

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar një rezolutë për miratim në Kuvendin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo rezolutë përmban 4 pika ku ndër të tjera thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedime që rikthejnë çështjen e Asociacionit si temë.

Tutje në rezolutën e VV’së thuhet se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në asnjë nismë të njëjtë si mini-shengeni.

Njoftimi i plotë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka autorizuar dhe nuk i ka dhënë leje Avdullah Hotit që të bëj zotime të tilla të njëanshme lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk mbështet zotimet e tij të njëanshme që kanë të bëjnë me pikat për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara më 4 shtator 2020 në Ëashington DC.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedime a dialogu që rikthejnë çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë si temë. Asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet që të bisedojë për këtë çështje.
  3. Ujmani si liqen artificial, është pronë dhe aset tërësisht i Republikës së Kosovës, i ndërtuar me fonde të Kosovës dhe menaxhohet nga Kosova. Si i tillë Ujmani dhe asnjë aset a pronë tjetër e Republikës së Kosovës kudo që ndodhet ajo, nuk mund të negociohet.
  4. Republika e Kosovës nuk merr pjesë në asnjë nismë apo aranzhim apo marrëveshje, përfshirë dhe atë të bërë në Novi Sad në vitin 2019, që synon treg të përbashkët me disa nga vendet e Ballkanit perëndimor, duke qenë se Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe ka si synim zgjerimin e ndikimit në politikën e brendshme të disa prej shteteve të këtij rajoni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme