Google ADS

Vetëvendosje nuk e mbështetë iniciativën e Thaçit për Ushtrinë e Kosovës

19:40 | 5 Mars 2017
Arbresh.info

Iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për formimin e ushtrisë përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në, Lëvizja Vetëvendosje nuk do e mbështesë nëse nuk do të ketë ndryshim të Kushtetueses.

Kështu tha për Indeksonline nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi, i cili beson që ky është vetëm një premtim i radhës i Thaçit dhe se nuk do të rezultojë me seriozitet.

“Ky është një premtim i radhës. Premtime të tilla ka kohë që vijnë nga i ashtuquajturi presidentin Hashim Thaçi. Megjithatë, jemi të gjithë dëshmitarë se asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar me seriozitet dhe nuk ka pasur asnjë gatishmëri dhe përkushtim për një gjë të tillë. Qëndrimi i Lëvizjes ka qenë në vazhdimësi i qartë dhe e kemi mbështet në vazhdimësi formimin e Ushtrisë së Forcave të Armatosura të Kosovës duke ndryshuar kushtetutën për ta ndryshuar një gjë të tillë”, ka thënë Çaushi.

Ai thekson se kjo çështje nuk duhet negociuar me asgjë tjetër përveç ndryshimit të Kushtetutës.

“Ne mendojmë që formimi i trupave Forcave të Armatosura të Kosovës duhet të vijë me ndryshimin e kushtetutës për ta mundësuar një gjë të tillë dhe mendojmë që kjo çështje nuk duhet negociuar me asgjë tjetër. Ne mendojmë që kjo është rruga e drejt për t’ju qasur kësaj çështjeje”, ka shtuar ai.

Ndryshe subjekti tjetër opozitar, AAK ka theksuar se në rast se kjo iniciativë është serioze ata do e përkrahin.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës, atij si komandant suprem i jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën e ndryshimit të ligjin e FSK-së, prandaj shumë shpejt, brenda kompetencave të tij kushtetuese do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që transformimi të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme