Grupi asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e ka vlerësuar si joligjore dhe të parregullt seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në të cilën u miratua buxheti i Kryeqytetit për vitin 2024.
Në njoftimin e tyre thuhet se në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë gjysma e asamblistëve të Kuvendit Komunal.
“Siç është i njoftuar opinioni, për shkak të paqartësive ligjore, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë gjysma e asamblistëve të Kuvendit Komunal. Gjithashtu edhe kjo seancë, si disa tjera më herët, kontestohet dhe nuk pranohet nga MAPL si organ që me Kushtetutë është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga niveli komunal”, thuhet në reagimin e tyre, shkruan Arbresh.info
Sipas grupit të asamblistëvë të VV-së buxhet i miratuar sot, i kontestuar ligjërisht edhe nga organizata të shoqërisë civile, i kontrabanduar në seancë të jashtëzakonshme e të paligjshme, është në fakt buxhet për partitë në pushtet, LDK e PDK, për klientelen e tyre, jo për zhvillim, jo për Prishtinën.
“Këto veprime të koalicionit aktual qeverisës, injorimi dhe mos respektimi i vendimeve të organeve mbikëqyrëse përveç se janë të papranueshme do të shkaktojnë dëm të pariparueshëm në zhvillimin e qytetit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Jemi të bindur se kjo do të dëshmohet shumë shpejt. Besojmë thellësisht se kjo seancë dhe vendimet e miratuara në të nuk do t’i kalojnë filtrat ligjor. Kërkojmë nga organet përgjegjëse të të gjitha niveleve veprime konkrete e emergjente në kthimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës. Vendimet dhe veprimet që merren duke shkelur ligjet e procedurat, pa transparencë e në mënyrë jo demokratike nuk duhet toleruar më”, thuhet në reagim.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se buxheti i kryeqytetit i cili është votuar sot për vitin 2024 është 20 milionë euro më i lartë se i vitit të kaluar.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2024 do të jetë 123 milionë e 699 mijë e 998 euro, përcjell Arbresh.info.
“Buxheti i Kryeqytetit i cili sapo u votua në Kuvend, për vitin 2024 do të jetë 123 milionë e 699 mijë e 998 euro. Pra, rreth 20 milionë më i lartë se vitin e kaluar”, shkroi Rama.
Ndër të tjera, Rama ka shkruar se ky buxhet do të shërbejë në transformimin e kryeqytetit.
“Buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës sime në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i trasnformimit të Kryeqytetit”, përfundoi Rama./Arbresh.info/
Vrau 14 vjeçarin, Martin Cani “arrest në burg” për Mario Për...
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
FSK testoi kapacitetet e komunikimit C4I
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...