Përmes një komunikate, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë, kanë deklaruar se nga muaji Prill nuk do të jenë më pjesë e Qeverisjes Komunale, shkruan arbresh.info
Sipas tyre kjo dorëheqje ka të bëjë me keqqeverisjen e Kryetarit aktual të Kamenicës, Qëndron Kastratit.
Ata kanë kritikuar Kastratin duke thënë se i mungon aftësia për ndërtimin e vizionit rreth nevojave të Qytetarëve të Kamenicës dhe sipas tyre as qytetarët nuk janë të kënaqur me qeverisjen e tij.
Më poshtë mund të lexoni komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje:
Të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të nderuar qytetarë,
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi zgjedhjet në Dardanë me votat popullore, duke u bazuar në luftën tonë kundër korrupsionit dhe për një qeverisje të drejtë dhe të dinjitetshme.
Kaluan më tepër se një vit qeverisje, ndërsa raporti i Qendrës së LëvizjesVETËVENDOSJE! në Dardanë me Kryetarin Kastrati është veç zyrtarë, edhe atë në Kuvend ku ballafaqohemi me kërkesat tona që të respektohet platforma me të cilën edhe kemi fituar besimin e qytetarëve. Pas daljes së Qëndron Kastratit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, ai nuk përfaqëson më qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, as programin e saj e as votën popullore.
Duke vazhduar të qëndrojmë në qeverisjen komunale, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! fare nuk ka hapësirë që të jetësojë platformën qeverisëse për të cilën na besuan qytetarët dhe na votuan në Zgjedhjet Komunale të mbajtura në fund të vitit 2017. Madje, duke vazhduar të qëndrohet aty, do të bëheshim pjesë e një keqqeverisjeje të vazhdueshme nga kryetari i Komunës dhe subjekti të cilin ai tashmë e përfaqëson. Qeverisja e Qëndronit ka bërë që të krijojë shumë zhgënjim tek qytetarët në Dardanë.
Nga një analizë që Qendra jonë i ka bërë qeverisjes një vjeçare të Qëndronit, rezulton se kemi një qeverisje të përcjellur nga një paaftësi menaxheriale, keqqeverisje e abuzim me buxhetin e Komunës, përfshi këtu edhe mungesën e përkushtimit të kryetarit i cili shumtën e kohës nuk është në vendin e tij të punës, duke mos arritur ende as të kompletojë kabinetin e tij.
Kryetarit duket se i mungon edhe aftësia për ndërtimin e vizionit rreth nevojave të qytetarëve të Dardanës, e natyrisht edhe aftësia për ofrimin e zgjidhjeve për secilën prej tyre. Në Dardanë ende nuk ka filluar as edhe një përpjekje për zhvillim social e ekonomik, apo edhe për krijim të një ambientit të përshtatshëm për banim. Në vend të saj, të gjitha përpjekjet kanë shkuar drejt politizimit të skajshëm të administratës komunale, përfshirë këtu edhe sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Edhe ato projekte që përzgjidhen nisur nga kalkulimet politike, realizohen me cilësi shumë të dobët dhe pastaj përmes presioneve imponohet pranimi i punëve. Keqpërdorimet nuk përfundojnë as te ndarja e granteve komunale e madje as tek bursat për studentë.
Të gjitha këto veprime, neve si Lëvizje VETËVENDOSJE! na detyruan që të shqyrtojmë përfundimisht pozicionin tonë në raport me qeverisjen komunale.
Ne nuk mund të jemi pjesë e mashtrimit që i bëhet programit qeverisës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilit i besuan qytetarët e komunës sonë. Nuk mund të jemi pjesë e atyre që po e vrasin shpresën e qytetarëve që një ditë mund të bëhet mirë edhe në Dardanë.
Ne nuk do t’i nënshtrohemi një koalicioni të gjerë PDK-AAK-AKR-Nisma-PSD e Lista Serbe, që është formuar kundër Lëvizjes dhe po bashkëveprojnë me shpresë që do ta dëmtojnë Lëvizjen. E për fat të keq po e pësojnë qytetarët e komunës tonë.
Prandaj, Kryesia e Qendrës në Dardanë, mbështetur dhe nga Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë ka marrë vendim që nga data 01.04.2018 të largohet nga qeverisja në Dardanë.
Me këtë rast i kemi kërkuar drejtorëve që janë në Lëvizje të largohen nga postet e tyre, sepse nuk mund të bashkëpunojnë me dikë që ka mashtruar votuesin e vet, ia ka marrë votat një subjekti dhe e ka çuar mandatin te subjekti tjetër.
Lëvizja vazhdon të mbetet e përkushtuar kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe për politika zhvillimore ekonomike e për drejtësi e barazi sociale, në Dardanë dhe në gjithë Kosovën. Qëndrime të tilla na kanë rritur dhe na kanë bërë forcë të parë, jo oportunizmi duke ndenjtur pranë pushtetit të pamerituar./Arbresh.info
Të shtëna me armë në Prishtinë, arrestohet një person
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%