Përplasjet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje duket se nuk po përmirësohen por vetëm janë duke u thelluar më shumë. Tani më është bërë e ditur se janë bërë dy grupe, ai i Albin Kurtit dhe i Dardan Molliqajt.
Në takimin e fundit të mbajtur nga anëtarësia e Vetëvendosjes ishte thënë se do të gjendej një rrugë që të binin dakord dhe të dorëhequrit të ktheheshin në Lëvizje. Mirëpo të dy grupet nuk u dakorduan për një gjuhë të përbashkët, shkruan Arbresh.info.
Në anën tjetër u raportua në media se grupi i Molliqajt i cili po cilësohet si krahu anti-Kurt së shpejti pritet ta formojë një parti të re ku kryetar i saj do të jetë Visar Ymeri dhe partia do të quhet Alternativa Socialdemokratike.
Po ashtu u tha se kjo parti pritet që t’ia marrë Vetëvendosjes më shumë se 10 deputetë, shumica prej të cilëve kanë dhënë dorëheqje nga VV.
Arbresh.info ka kontaktuar me Visar Ymerin për të marr përgjigje lidhur me këtë por ai nuk ka qenë i qasshëm. Po ashtu është kontaktuar edhe sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Smajl Kurteshi mirëpo as ky nuk ka hapur telefonin.
Artan Murati nga KDI ka thënë për portalin Arbresh.info se nëse vije deri tek ndarja e grupit të VV-së, mund të krijohet një grup i ri parlamentar pasi që sipas tij duhen vetëm 6 deputet për ta krijuar një grup të ri parlamentar e që do të funksionoj jashtë LVV-së.
“Nëse ndahet grupi parlamentar kjo do të kishte ndikim direkt në fuqinë e Lëvizjes Vetëvendosje brenda Kuvendit. Kjo për faktin që tashmë janë 32 deputetë dhe janë grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Dhe nëse vjen deri te ndarja dhe një numër i deputetëve largohen ajo mund ta humb edhe primatin. Pra vetëm nëse 8 deputetë i largohen VV-së nga grupi parlamentar e humb këtë primat pasi që kemi LDK-në që është partia e dytë me grupin më të madh parlamentar, kurse nëse largohen 10 deputetë siç po flitet atëherë VV do të dilte e treta për nga madhësia e grupit parlamentar. Çdo deputet që largohet nga subjekti e dëmton subjektin nga një mënyrë ose tjetra”, ka thënë ai.
Murati ka komentuar edhe mundësinë e krijimit të një subjekti të ri politik nga anëtarët e dorëhequr.
“Sa i përket subjektit të ri politik, ne kemi pasur raste edhe në të kaluarën kur një subjekt politik është ndarë në dysh, dhe pastaj derivatet e asaj partisë së ndarë kanë qenë parti që kanë garuar në zgjedhje. Kemi pasur rastin e LDK-së dhe LDD-së, mandej PDK dhe NISMA e kështu me radhë. Zakonisht e kemi përë që në fillim ndoshta në herën e parë kur një subjekt i ri ka kandiduar ose ka marr pjesë në zgjedhje në përgjithësi kanë arritur të marrin një rezultat pozitiv, pra kanë arritur të hyjnë në parlament dhe të marrin disa ulëse. Mirëpo, prapë baza e gjerë e elektoratit ka qëndruar me subjektin bazë prej të cilit është shkëputur ky subjekti i ri politik”, është shprehur ai duke shtuar se nëse ndodhë një ndarje e VV-së ka mundësi të bëhet grupi i ri parlamentar.
“Edhe pse për zgjedhje parlamentare të rregullta ka kohë deri sa të bëhen, dhe mund të ndryshojë shumëçka, mirëpo një gjë është e sigurt që, nëse vjen deri te një ndarje zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe këta deputetët e dorëhequr nga VV mund të dorëhiqen edhe prej grupi parlamentar, atëherë mund të flitet që mund të krijohet një grup i ri parlamentar sepse tani më e kanë numrin e mjaftueshëm që do të mund ta krijonin”, deklaroi ai
Njohësi i çështjeve politike, Bajrush Morina në një përgjigje për portalin Arbresh.info ka thënë se është e pritshme që Vetëvendosje të dëmtohet në këtë fazë.
“Çdo copë e shkëputur nga tërësia shkakton dëme. Edhe një shtëpie sado e madhe dhe e fortë që të jetë, nëse i prishet një derë a një dritare ajo dëmtohet. Në këtë fazë është e pritshme që Vetëvendosje të dëmtohet edhe në cilësi edhe në anëtarësi. Bile në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje do të ndahet në dy pjesë apo në dy grupe parlamentare. Kjo madje do të shkaktojë probleme edhe në funksionimin e opozitës në Kuvend”, ka thënë Morina.
Sipas tij nëse formohet partia e re më së shumti do të përfitoj Visar Ymeri por siç tha Morina suksesi më i madh i kësaj partie do të ishte kalimi i pragut zgjedhor në zgjedhjet nacionale.
“Ndërkaq suksesi më i madh i Visar Ymerit do të jetë numri me më shumë se 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ai do të përfitojë nga kjo situatë më shumë nga pakënaqësitë e zyrtarëve dhe deputetëve të kësaj partie në këtë moment. Por kur do të mbahen zgjedhjet nacionale, fitorja më e madhe e krahut të Visar Ymerit do të jetë kalimi i pragut zgjedhor, madje me një përqindje shumë të vogël. Kur them këtë kam parasysh edhe “fraksionet” e partive të tjera politike të cilat në një moment kanë shkëlqyer por më pas janë vyshkur dhe tretur”, theksoi Morina.
Analisti politik Blerim Burjani tha për portalin Arbresh.info se nuk është mirë të formohet një parti e re me koncept të njëjtë të VV-së.
“Një alternativë e re me konceptin e dikurshëm të VV-së, pa kuadër por me njerëz të rinj entuziast dhe problemtaik për rendin dhe ligjin, më mirë është të mos bëhet fare. Nëse ka koncept të njëjtë të VV-së atëherë po flitet për legalizim politik të fraksionit të Vetëvendosjes në një subjekt të ri politik, pra s’ka gjë prej një koncepti të tillë që nuk ka fund fare as nuk e din përfundimin se ku do të mbërrijnë me këto ide ku të gjitha ishin në gjysmë apo fillim të diçkafit”, ka thënë ai.
Sipas tij kjo nëse formohet kjo parti nuk mund t’i bëjë dëm edhe aq shumë Vetëvendosjes pasi që siç tha Burjani VV identifikohet me figurën e Kurtit.
“Nëse mbete koncepti i njëjtë i subjektit të ri atëherë është në kundërshtim me VV-në dhe mund t’i bëjë dëm por, jo edhe aq sa mendojnë ata pasi që dihet figura me të cilën identifikohet VV-ja, është Albini. Po ashtu dihet se Albini nuk mund të punojë me njerëz që nuk kanë asnjë profesion por kanë lojalitet të ideve, nuk është partia vetëm ide por edhe zbatim i mundshëm. Me këta njerëz që i rrinë në krah një kohë të gjate Albinit, nuk kanë mundësi as minimale ta konkretizojnë idenë në praktikë sepse të gjithë në vend i dinë problemet por nuk i din zgjidhjet. Andaj këto parti nuk duan zgjidhje dhe sjellin vetëm thashetheme”, ka shtuar ai.
Sot Lëvizja Vetëvendosje mban zgjedhjet për kryetar të saj.
Kandidati i vetëm për këtë pozitë është ish-kryetari dhe themeluesi i Vetëvendosjes Albin Kurti./Valdete Berisha/Arbresh.info
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...