Vetëvendosja përballë akuzave të PDK-së për punësimet në komunën e Prishtinës

00:26 | 28 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, sot ka bërë publik emrat e atyre që i kanë cilësuar si militantë të Lëvizjes Vetëvendosje të punësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore të Prishtinës.

Shemsi Veseli nga kjo degë e PDK-së ka thënë në Ballë për Ballë në Klan Kosova se kjo që PDK ka prezantuar sot nuk është një akuzë ndaj Vetëvendosjes, por janë fakte që kanë dalë nga raporti i Auditorit të Përgjithshëm.

“Nuk është akuzë, është e konfirmuar me raportin e Auditorit të Përgjithshëm, është është një e gjetur që realisht është nga zyra e Auditorit, ne vetëm kemi dëshmuar me emra e me mbiemra se janë militantë të Vetëvendosjes”.

“PDK nuk po shpik, PDK po thotë diçka që e ka thënë Auditori i Përgjithshëm dhe Auditori nuk është i PDK-së”.

Derisa Qëndron Kastrati  nga Vetëvendosja ka thënë se këto që ai i ka cilësuar akuza të PDK-së nuk qëndrojnë.

Ai ka deklaruar se të punësuarit me kontratën mbi vepër janë angazhuar përkohësisht për projekte të caktuara të Komunës.

“Kontrata mbi vepër është angazhim i përkohshëm, kemi dy raste në komunën e Prishtinës, rasti i parë është për personat që nuk kanë pasur nevojë për angazhim të përhershëm dhe grupi i dytë është që Ministritë nuk kanë lejuar staf shtesë por që është dashur të kryhen  procese andaj janë angazhuar 100 punëtorë sepse kemi afate ligjore”.

Sipas tij, madje PDK ka përllogaritur gabimisht të punësuarit.

“Një pasaktësi e PDK-së është se kontrata mbi vepër parashihet deri në 6 muaj andaj nëse janë 486 kontrata mbi vepër nuk do të thotë se janë kaq individë pasi këta kanë numëruar nga 6 herë të njëjtin person”.

“Kemi rast edhe me artistët si Xuxi e Genc Prelvukaj, që i kanë quajtur militantë e madje kush po e thotë këtë, PDK-ja që e ka kapë gjithë nivelin qendror”.

Por Veseli ka insistuar se në këtë Ndërmarrje ka punësime të militantëve të Vetëvendosjes, madje sipas tij, ka të tillë që janë larguar në pension të parakohshëm, në mënyrë që tu lirohet vendi përkrahësve të Vetëvendosjes.

“Janë 18-20 punëtorë që janë pensionuar, ata persona që kanë shkuar në pension, është një kontratë që se kam parë askund tjetër. Atyre u paguhet viti i parë 100 %, dhe viti i dytë është me 90 % të pagës, 3 vitet e fundit është 80 %”.

“Shumica prej tyre kanë dalë në pension për të liruar vendet atyre që janë me kontratë në vepër”, ka thënë Veseli në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.

Në ndërkohë që Kastrati ka thënë se “janë shumë sektorë në Komunën e Prishtinë nuk kanë funksionuar sepse kanë qënë të punësuar anëtarë të familjes së LDK-së dhe PDK-së”.

“Në NPB është paraparë mirëmbajtja e banesave kolektive që nuk ka ndodhur asnjëherë, andaj duhet të merren njerëz në ekip për të përfunduar këto punë”.

“Të gjithë personat që janë të angazhuar në këtë ndërmarrje kanë pagë minimale, më herët kanë qenë paga të majme sepse të gjithë të punësuarit kanë qenë familjarë të zyrtarëve të LDK-së dhe PDK-së”.

E Veseli nga PDK-ja ka thënë se është zhgënjyer me performancën e Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës.

“Nëse flasim për realizimin e buxhetit, investimet kapitale, unë kam përkrahë Shepnd Ahmetin por është njëri prej atyre që ka dështuar sa i përket realizimit të buxhetit. Jam i zhgënjyer sepse pritjet kanë qenë shumë më të mëdha”.

Derisa sipas Kastratit nga Vetëvendosja krejt këto deklarime publike të PDK-së së fundmi kanë një arsye.

“Qëllimi është me zhvendosë vëmendjen e qytetarëve prej nivelit qendror, qytetarët veçanërisht ata të Prishtinës iu kanë treguar se ku e kanë vendin. Këta janë shumë të shqetësuar me përkrahjen e Shepnd Ahmetit për Prishtinën”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme