Veteranët presin që deputetët e Kuvendit do ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale

23:28 | 21 Dhjetor 2017
M. A.

Pas peticionit të organizuar nga veteranët e UÇK-së kundër Gjykatës Speciale, ku janë mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime, tash përfaqësuesit e kësaj organizate presin që Kuvendi i Kosovës ta marrë për bazë këtë kërkesë dhe ta përfshijë në rend dite.

“Do të duhej të procedohej para Vitit të Ri, por Kuvendit të Kosovës ne i kemi kërkuar edhe seancë të jashtëzakonshme. Prej liderëve partiakë kërkojmë që t’i lënë deputetët të votojnë lirshëm dhe të mos u bëjnë presion”, deklaroi Faton Klinaku, sekretar i OVL UÇK-së në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova.

Ai po ashtu zbuloi se si shoqatë kërkojnë që kjo Gjykatë të shfuqizohet dhe të krijohet një alternativë vendore e saj.

“Dy të tretat e deputetëve mund ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale. Ne presim që këtë ta bëjnë edhe deputetët nga pakicat, duke e pasur parasysh që në Deçan këtë peticion e kanë nënshkruar edhe dy serbë”, tha Klinaku.

Në lidhje me atë se është mundësia që të ketë reagime nga ndërkombëtarët në lidhje me këtë kërkesë, Xhevdet Qeriqi u shpreh se edhe kjo mund të rregullohet me dialog.

”Institucionet tona kanë argumente të mjaftueshme për t’ua sqaruar atyre se kjo është e dëmshme. Deri më tani po besoj që edhe ata e kanë kuptuar, edhe në bazë të deklarimeve të Presidentit, që kjo Gjykatë duhet të hidhet poshtë”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme