Google ADS

Veteranët nuk marrin pensionet deri në nëntor

11:19 | 26 Tetor 2017
Arbresh.info

Veteranët e luftës nuk do të marrin pensionet e tyre deri në muajin nëntor. Kjo për shkak që shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshim dhe plotësim i buxhetit për vitin 2017 pritet të votohet më 31 tetor, shkruan arbresh.info.

Një ditë më parë në seancën e Kuvendit u debatua gjatë për rishikimin e buxhetit. Madje pati akuza dhe kundër akuza të shumta mes pozitës dhe opozitës.

Kjo gjë bëri që në ditën e djeshme të mos votohej shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshim dhe plotësim i buxhetit për vitin 2017 për shkak të korumit.

E në mungesë të korumit kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ndërpreu seancën për të vazhduar në ditën e  sotme, ku edhe u votua rishikimi i buxhetit për vitin 2017 në lexim të parë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së ditë më parë kishte thënë për arbresh.info se pret se gjatë kësaj jave rishikimi i buxhetit të votohet edhe në lexim të dytë, gjë që nuk ndodhi. Mirëpo, ka thënë se në bazë të rregullores pensionet e veteranëve dalin prej 25 deri më 7 nëntor.

“Me rregullore është e rregulluar që pensionet të dalin deri më 7 nëntor, përndryshe nëse deri në këtë ditë nuk dalin atëherë e vetmja zgjidhje na mbetet që të dalim në rrugë”, ka thënë ai.

Projektligji për buxhet në shqyrtim të dytë pritet të votohet më 31 tetor, me propozim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Veteranët e luftës vazhdojnë të mos marrin pensionet e tyre  që katër muaj.

Rishikimi i buxhetit, po mbanë peng gati për rreth katër muaj pensionet e veteranëve të luftës. Një veteran merr një pension prej 170 euro në muaj, e që i bie se për katër muaj nuk i është realizuar pensioni prej 680 eurove. Nga kjo kategori përfitojnë rreth 33 mijë veteranë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme