“Veteranët e rrejshëm” dhe Specialja “rrezikojnë” miratimin e Projektligjit për vlerat e luftës së UÇK-së

07:59 | 13 Gusht 2020
Arbresh.info

Kritikat për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rrezikojnë miratimin nga Parlamenti. Ai po cilësohet si problematik në nenet pesë dhe nëntë, dhe juristët vlerësojnë se vetëm si i përmirësuar në pikat e kontestuara mund të arrijë të miratohet.

NENI 5

“Sipas këtij ligji çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektoj dhe mbroj vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit.”

NENI 9

“Shkelja e dispozitave të këtij ligi sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.”

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj për arbresh.info thotë se ky ligj do të pengonte punën edhe të rasteve që lidhen me veteranët edhe do të pengonte apo frikësonte dëshmitarët eventual që mund të ekzistojnë për proceset gjyqësore në Hagë.

Sipas Demhasaj ky ligj nuk përcakton dispozitat e qarta ndëshkimore, por vetëm thuhet se njerëzit që bien në kundërshtim me këtë ligj do të ndëshkohen në bazë të legjislaturës në fuqi.

“E në fuqi ka me dhjetëra ligje dhe pastaj mundësia që në procese gjyqësore me u dënu dikush ma ndryshe, dikush ma ndryshe, dhe se nuk është e përcaktuar dispozita ndëshkimore, atëherë kjo përbën problem të madh. Nëse ky ligj rishikohet dhe përmirësohet në pikat që po kontestohet, atëherë edhe mundet me qenë në rregull”, vlerëson Demhasaj.

Sipas avokatit, Tomë Gashi, ky ligj po vie në një kohë të papërshtatshme për shkak të zhvillimeve politike dhe juridike në Kosovë.

Edhe Gashi vë në dyshim proceset gjyqësore në rastin e veteranëve të UÇK-së, dhe proceseve pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë.

“Do të ishte turp që të mbrohet me ligj një mashtrues që përfiton si veteran, e është nën akuzën se është veteran i rrejshëm. Ndërsa nëse dikush do të dëshmojë në Hagë, në Gjykatën Speciale, në rastin e ngritjes së akuzave kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ai apo ajo do të bie ndesh me këtë ligj dhe do të ketë edhe pasoja juridike për këtë sepse mund të dënohet në bazë të këtij ligji pa marr parasysh se çka ka deklaruar në gjykatë nëse dikush e konsideron si shkelje të vlerës së mbrojtur”, vlerëson avokati Gashi.

Kuvendi i Kosovës ka filluar shqyrtimin për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), pas propozimit të bërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ky projektligj u propozua nga Gazmend Bytyçi, i cili e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për të vlerësuar të kaluarën.

“Jemi të vetëdijshëm së ndoshta nuk është ligji më i mirë, por qëllimi është më shumë se i mirë”, ka thënë Bytyçi në Kuvend.

E menjëherë kundër këtij propozimi ishte Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjë, Rexhep Selimi duke e konsideruar këtë projektligj me të meta, mangësi dhe shtrembërim të luftës së UÇK-së.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndonëse ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në leximin e dytë të këtij dokumenti, ajo ka përkrahur miratimin në leximin e parë.

Përpos zërave në Kuvend që janë kundër këtij projektligji, ashtu është edhe ambasada e SHBA-ve në Kosovë që ka konsideruar se ky ligj rrezikon të minoj lirinë e shprehjes, dhe se neni 5 dhe 9 janë të papranueshëm.

“Ligji do të hapte derën e legjislacionit që do të kriminalizojë format e tjera të fjalës së lirë, duke vendosur një precedent të rrezikshëm”, thuhej në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.

Një reagim i ngjashëm ka qenë edhe nga ambasada zvicerane duke konsideruar se ky ligj mund të minojë lirinë e shprehjes.

“Ligji i propozuar mund të kërcënojë disa qytetarë të Kosovës dhe të pengojë procese të tjera që synojnë trajtimin e së kaluarës. Zvicra inkurajon krerët dhe politikanët e Kosovës të gjurmojnë mënyra të tjera për të treguar respekt për UÇK-në”, thuhej në reagimin e ambasadës zvicerane.

Liria e shprehjes është e mbrojtur edhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në Strazburg./ ArditëShkodra/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme