Vetëm sivjet, shteti i ka dhënë mbi 6 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

17:42 | 8 Nëntor 2022
E.H

Gjashtë milionë e 304 mijë e 327 euro e 67 centë.

Kaq para janë dhënë nga shteti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë vetëm për këtë vit, nga janari e deri më sot.

Këtu përfshihet edhe mbështetja financiare e familjarëve të tyre për realizmin e vizitave.

“Për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë si dhe mbështetjen e financiare të familjareve të tyre gjatë këtij viti, janar e deri më sot, janë shpenzuar 6,304,327.67€”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MD-së për Klankosova.tv.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ishte drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjendet në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Bashkë me të si të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Përpos tyre të akuzuar janë edhe Salih Mustafa dhe Pjetër Shala në cilësinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ndërkaq më 18 maj të këtij viti, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim.

“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme