Vetëm një zgjidhje për ta paguar borxhin që kanë serbët e veriut ndaj KEDS-it

07:08 | 21 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Shfrytëzimi i Fondit për Veriun po shihet si mundësi e vetme për pagesën e borxhit të energjisë elektrike të shpenzuar nga pjesa veriore e vendit, shkruan arbresh.info.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas një vizite që kishte në Korporatën Elektro Energjetike të Kosovës, ka thënë se e rëndësishme është se më nuk do të paguhet për energjinë në veri.

Mirëpo, nuk ishte i gatshëm të japë përgjigje nëse mjetet e inkasuara do t’iu kthehen qytetarëve.

“Konkretisht për këtë është mirë që është gjetur kjo e vërtetë që ka dalë në sipërfaqe dhe që tani nuk do të paguajnë më qytetarët. Kjo është puna e parë, pra me rëndësi që të mos vazhdohet me pagu nga qytetari për dikë tjetër. E pastaj si do të mundemi me kthyer atë, a mundet me u kthye ajo që është marrë prej qytetarëve, këtë s’po mundem me thënë sot”, kishte thënë  Haradinaj.

Si të arsyeshëm pagesën e borxhit për pjesën veriore përmes Fondit për Veriun e sheh edhe eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri. Ai ka thënë për arbresh.info se borxhin për shpenzimin e energjisë elektrike duhet ta paguajnë ata që e kanë shpenzuar, dhe kjo nuk do të duhet të ishte temë diskutimi.

“Nëse veç vendoset për me pagu borxhin e minoritetit serb, atëherë duhet të shfrytëzohet Fondi për Veriun dhe të paguhen faturat e energjisë elektrike, gjithashtu duhet të shtrohet në bisedime, dhe në fund të ngritet padi ndaj Serbisë për ndërhyrje në punët e brendshme dhe sipas mendimit tim Qeveria dhe Policia e shtetit e kanë obligim garantimin e lëvizjes së lirë dhe mos shkeljen e ligjit nga cilado palë që është”, ka thënë ai.

Beqiri, ka shtuar se për pagesat e qytetarëve të vendit për pjesën veriore duhet të kërkohet dëmshpërblim nga KEDS-i.

Çështjen e pagesës së energjisë elektrike në veri e ka ngritur edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Ai ka thënë se kanë propozuar që pagesa e rrymës në veri të bëhet nga Fondi për Zhvillimin e Veriut e jo nga buxheti i Kosovës.

“Ne kemi propozuar që pagesa e rrymës në veri të bëhet nga Fondi për Zhvillimin e Veriut e jo nga buxheti i Kosovës. Përndryshe ne kemi dërguar padi në gjykatë për kompensim moral. Derisa humbjet komerciale janë vjedhje të energjisë, më ka çuditur fakti se pse ZRRE-ja dhe KEDS-i nuk kanë dërguar padi”, ka thënë ai.

Arbresh.info, për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës , mirëpo për dy ditë radhazi zyrtarë të saj nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje./J.Zhuniqi/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme