Dy javë para kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet zgjedhja e kryetarit të ri të kësaj partie, vetëm ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Anton Quni, ka rikonfirmuar qëllimin për të marrë timonin e partisë. Kandidatët e tjerë të përfolur nuk kanë konfirmuar zyrtarisht kandidaturat.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka vendosur ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për të ofruar dorëheqjen nga ky post, vendim ky që pasoi rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Në bazë të rezultateve aktuale, LDK-së i janë përgjysmuar votat që nga zgjedhjet e 6 tetorit, 2019.
Kush janë pretendentët kryesorë?
Anton Quni e Lutfi Haziri janë të vetmit që nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të jenë kandidatë për të marrë drejtimin e partisë.
Anton Quni të hënën rikonformoi për Radion Evropa e Lirë se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.
“Do të jem pjesë e garës për kryetar të LDK-së”, tha Quni.
“Për këtë vendim e kam njoftuar edhe kryesinë e partisë dhe tani pres që të vazhdohet me procesin”, deklaroi Quni.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Lutfi Haziri, që është edhe kryetar i Gjilanit, ka thënë se asgjë nuk është përfundimtare.
“Ende nuk jam kandidat zyrtarisht. Vendimin për këtë do ta marr pas një jave”, tha Haziri.
Përkrahje për kandidaturën e Hazirit po ofrojnë edhe strukturat lokale të LDK-së nga Anamorava. Disa nga ta, duke përfshirë edhe nënkryetarin e degës së LDK-së në Gjilan, Imet Rrahmani, kanë postuar në rrjetet sociale një përshëndetje për simpatizantët e partisë me një fotografi të Lufti Hazirit.
Anëtarë të kryesisë dhe degëve të LDK-së kanë përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës, por ky i fundit asnjëherë deri më tash nuk është deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës. Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të kontaktojë me Shalën, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, që është pjesë e kryesisë së LDK-së, po ashtu ka publikuar një fotografi me mesazh në rrjetet sociale, përkrah Kujtim Shalës.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri konfirmoi për REL se nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar të LDK-së. Muhaxheri, i cili është edhe anëtar i kryesisë së partisë, vlerëson se gara është përcaktuar në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.
“Unë besoj që elektorati e ka përcaktuar me votën e tij se kush mund të jenë ata persona që mund të vijnë në krye të LDK-së dhe mendoj se mesazhi është kuptuar mirë edhe nga kryesia e LDK-së, por edhe nga vetë anëtarësia”, tha Muhaxheri.
Megjithatë, ai preferon që në garë të ketë më shumë kandidatë dhe që kryetari i ri të zgjidhet me votë të fshehtë.
Muhaxheri nuk tregoi se kë e favorizon në këtë garë.
“Ne do të mbajmë mbledhje te degës së Pejës. Do të shohim se kush do të jetë kandidat dhe kë do ta votojmë si degë”, tha Muhaxhiri.
“Nëse (kryesia e re) e lexon mirë mesazhin që e ka marr, LDK-ja do të mund të kthehet shumë fuqishëm në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e tjera nacionale”, shtoi ai.
Si zgjidhet kryetari i ri?
Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”. Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar.
Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.
Në historinë e LDK-së, kjo është hera e parë që një kryetar jep dorëheqje. LDK-ja është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugova (bashkëthemelues i partisë), Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa./rel
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...