Amin Bozar nga Palestina, ka ardhur në Kosovë. Ai po qëndron në Qendrën për Azil në Magurë. Këtu thotë se ka ardhur i vetëm.
“Jam këtu qe pesë ditë. Këtu është mirë dhe njerëzit janë shumë të mirë. Na respektojnë. Ushqimi është i mirë këtu, po ashtu edhe fjetja. Kam ardhur vetëm, s’është familja këtu”, thotë Bozar.
Bozar tregon se në Kosovë ka ardhur përmes Shqipërisë, e rrugëtimi thotë se ka qenë i mundimshëm.
“Unë kam ardhur nga Palestina në Turqi, e pastaj në Greqi. Që aty kam kaluar në Shqipëri e pastaj në Kosovë. Natyrisht, rrugëtimi ka qenë shumë problem, pasi që na është dashur të kemi para dhe është dashur të kemi ndihmë nga të tjerët për të ardhur. Prej këtu dua të shkoj në Belgjikë ose në Francë, sepse atje e kam edhe familjen”, shprehet më tej ai.
Bozar nuk është i vetmi që ka kërkuar azil në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar për KTV-në se vetëm të hënën ka akomoduar nëpër qendra të azilit 112 azilkërkues.
“Sot kemi sistemuar 82 azilkërkues në Qendër të Azilit dhe 30 në Qendër të Mbajtjes në Vranidoll. Kapaciteti i qendrës së azilit është 100 persona. Institucionet e Kosovës janë në proces të gjetjes së zgjidhjes/rritjes së kapaciteteve të pranimit/akomodimit edhe për 200 persona shtesë”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Brendshme.
Sipas të dhënave të MPB-së, nga fillimi i vitit e deri më tani, në institucionet e Kosovës janë parashtruar 1 mijë e 768 kërkesa për azil dhe, më së shumti, azilkërkuesit futen në Kosovë përmes rrugëve ilegale nga vendet e rajonit.
Kurse, sipas Policisë, azilkërkuesit vijnë në Kosovë e pastaj kalojnë në vendet e BE-së, duke mos qëndruar këtu gjatë.
“Më datë 23.11.2019, në Prishtinë, në Policinë e Kosovës, janë paraqitur (5) azilkërkues shtetas të huaj. Të njëjtit janë trajtuar nga drejtoria kompetente për migrim dhe të huaj dhe, sipas procedurave, janë dorëzuar në Qendrën e Azilit. Edhe gjatë 24 orëve të fundit ka pasur edhe persona të tjerë që janë paraqitur. Raste të tilla janë të shpeshta, kur azilkërkues nga shtete të ndryshme hyjnë në RKS, qëndrojnë disa ditë dhe pastaj lëvizin, ku destinacion kanë shtetet e BE-së”, ka thënë zyra për media e Policisë së Kosovës.
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë