Në fillim të këtij muaji ka nisur procesi i aplikimit për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri më tani janë dorëzuar 15 aplikacione, ndonëse interesimi për procedurat e aplikimit ka qenë i madh, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të kësaj kategorie t’u rregullohet statusi dhe të marrin pensionin që u takon më ligj.
Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, thotë se në nivel vendi kanë qenë 15 aplikacione, kurse 30 persona i kanë tërhequr aplikacionet.
“Në momentin kur aplikimet mbushen, neve na lajmërojnë dhe ne duhet të shkojmë e t’i marrim. Është një lloj sigurie që duhet të kenë në bartjen e aplikacioneve. Por, deri më tani është parë se ka interesim për procedurat e aplikimeve”, thotë Begaj.
Sipas organizatave joqeveritare që përfaqësojnë viktimat, besohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimeve seksuale.
Ky krim ka qenë me vite të tëra temë tabu në shoqërinë e Kosovës për shkak të paragjykimeve se dhuna seksuale është turp për familjen dhe shoqërinë. Në këtë mënyrë shumë nga viktimat kanë heshtur.
Këto paragjykime, besohet se mund të jenë edhe një arsye shtesë, që një numër i këtyre viktimave të mos jetë paraqitur fare.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, qendër kjo e cila gjithashtu ndihmon në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale, thotë se gjatë këtij viti pritet të aplikojnë më shumë se 1.200 persona.
Këta persona janë të regjistruar dhe përfitues të programeve rehabilituese nëpër organizatat joqeveritare.
Rushiti tregon se në Qendrën që udhëheq ajo, përveç grave të regjistruara si viktima të dhunës seksuale, janë të regjistruar edhe 13 meshkuj, të cilët po ashtu kanë përjetuar abuzime seksuale gjatë periudhës së luftës.
“Numri ndryshon brenda ditës. Ne kemi deri në 10 raste të reja të viktimave të të dy gjinive. Numri i burrave dhe djemve që i kanë mbijetuar këtij krimi dhe janë të përgatitur për t’iu qasur Komisionit, është 13”.
“Ka edhe raste të tjera që hezitojnë apo kanë arsyet e veta që ende nuk kanë arritur të marrin vendim për të marrë aplikacionin dhe të tregojnë historitë e tyre. Por, 13 veta tashmë janë të përgatitur për aplikuar”, thekson Rushiti.
Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999.
Të dhënat personale në ligj thuhet se mbrohen nga autoritetet përgjegjëse.
Këto viktima përfitojnë benificione personale prej 230 eurosh në muaj, thotë Minire Begaj, duke shtuar se pas aplikimit, Komisioni për 30 ditë duhet vlerësojë nëse dokumenti kualifikohet pozitiv apo negativ.
Nëse personave iu njihet statusi si viktimë e dhunës seksuale, brenda kësaj periudhe viktimat mund të marrin pensionin personal.
“Sipas rregullës, procedurave administrative, Komisioni ka të drejtën që brenda 30 ditësh të vlerësojë një aplikacion nga momenti kur ka aplikuar, që duhet të lëshojë një vendim qoftë pozitiv apo negative. Dhe, brenda asaj periudhe kohore, i njihet statusi. Ne si komision do të bëjmë një rregull, nuk do të thotë se do të presim ditën e fundit, por varet se sa kërkesa kemi”, shpjegon Begaj.
Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u riaktualizua në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë krijoi Këshillin Kombëtar të cilin e udhëhoqi vetë.
Ndryshe, në raportet e organizatave ndërkombëtare disa herë është kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë./REL/
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...