Veseli: Vitin tjetër do të dyfishojmë fondet për mbështetje të inovacionit dhe ndërmarrësisë

14:12 | 5 Qershor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se fusha e teknologjisë informative dhe investimi në inovacione dhe ndërmarrësi do të bëhet prioritet dhe fokus i zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës, për të cilin qëllim ai tha se ka projektuar dhe shtyrë përpara themelimin e Ministrisë së Inovacionit.

Në ngjarjen “Think Future – Prizren” për promovimin e “Programit për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare” dhe “Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren”, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka rini inivatore me shumë ide dhe energji për punë.

Ai i inkurajoi të gjithë të rinjtë e regjionit të Prizrenit por edhe gjitha qyteteve tjera që të aplikojnë me idetë e tyre për të marrë mbështetje nga Ministria e
Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Kryetari Veseli tha se vitin e ardhshëm do të dyfishohen këto fonde, në mënyrë që të rinjtë e Kosovës me ide inovatore të realizojnë idetë dhe projektet e tyre, nërmjet të cilave do të krijohen edhe shumë vende të reja pune.

Veseli tha se këto rrethana e vendosin Kosovën në një rrafsh shumë të volitshëm dhe shumë më të mirë se shumë vende tjera, në fushën e kësaj konkurrence.

“Ne kemi nevojë jo vetëm të hapim vende të reja të punës për të rinjtë tanë, por njëkohësisht t’i aftësojmë ata që vetë të jenë krijues të vendeve të punës.

Këtu qëndron thelbi i zhvillimit ekonomik. Në duhet të lëvizim në këtë drejtim dhe ky është vizioni im. Unë do të jem në përkrahje të plotë të të gjithë atyre që kanë iniciativa zhvillimore. Duke i përkrahur ata ne e ndihmojmë ecjen përpara të vendit tonë. Iniciativa e lirë e ka ndryshuar botën. Ajo do ta ndryshojë edhe Kosovën”, tha Veseli.​

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme