Veseli takoi ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, flasin për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror

16:26 | 20 Korrik 2018
M. A.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet që Kosova dhe Maqedonia kanë ndërtuar ndër vite, si dhe për mundësinë e avancimit të tyre në të gjitha sferat e bashkëpunimit, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të kultivuar më tej frymën e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe synimeve të përbashkëta euro-atlantike.

Veseli shprehu besimin se liberalizimi i vizave për Kosovën, zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe shumë sfida tjera që tashmë po gjejnë zgjidhje, janë sinjal i mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit.

Po ashtu, kreu i Kuvendit tha autostrada “Arbën Xhaferi” e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin, do ta lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare, ndërsa theksoi nevojën që edhe Maqedonia të përfundojë pjesën e saj.

Nga ana e tij, kryediplomati i Maqedonisë, Dimitrov, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, theksoi nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërparlamentare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme