Google ADS

Veseli reagon ndajë deklaratës se Erdoganit: Kosova nuk i nënshtrohet presioneve të jashtme

13:48 | 1 Prill 2018
V. S.

 

Ndonëse  Kryeministri Haradinaj dhe Presidenti  Thaçi ende nuk kanë folur lidhur me akuzat e Presidentit të Turqisë , heshtjen e ka thyer kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli .

Përmes një postimi në rrjetin social facebook  Veseli ka shkruar se deklaratat e Erdoganit në këto momente nuk i kontribuojnë momentit, pasi sipas tij Kosova po punon për ta zbardhur rastin e deportimit të 6 turqve.

 Postimi i plot i Kadri Veselit:

Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq.

Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar.

Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës.

Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme