Veseli: Protesta e 11 marsit vulosi të ardhmen e pa kompromis drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit

17:32 | 11 Mars 2018
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kujtuar protestën e studentëve të 11 marsit të vitit 1981.

Veseli, përmes një statusi në Facebook ka thënë se kjo protestë e fuqizoi përfundimisht realitetin se Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, shkruan Arbresh.info.

Lexoni të plotë statusin e tij:

Protesta e studentëve e 11 marsit të vitit 1981, nuk ishte vetëm simbolikë e shprehjes së pakënaqësive me gjendjen e përgjithshme sociale e politike të shoqërisë kosovare, por ka një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet.

Ajo e fuqizoi përfundimisht realitetin se Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, por një entitet tërësisht politik, çështja e së cilës do të duhej të shtrohej për një zgjidhje përfundimtare dhe se kundër këtij fakti nuk kishte asnjë alternativë konformiteti.

Sot, 37 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, duhet t’i nderojmë dhe kujtojmë me konsideratë të lartë të gjithë ata protestues, studentë e qytetarë, të cilët e patën një vizion të tillë dhe që me mund e sakrificë vulosën të ardhmen e pa kompromis drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Tash, garancia e këtyre përpjekjeve është rinia e Republikës së Kosovës, janë qytetarët e saj të cilët çdo ditë forcojnë integritetin e lirisë dhe i japin kuptim ndërtimit të shtetit demokratik.

Ky vizion duhet të na përcjellë edhe më tutje, veçmas tani kur kemi hyrë në Dekadën e Re, dekadën e besimit në vlerat demokratike, dekadën e zhvillimit dhe mirëqenies, dekadën e integrimit në familjen evropiane./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme