Google ADS

Veseli: PDK ka vendosur interesat e qytetarëve të Kosovës para çfarëdo interesi politik

17:23 | 17 Maj 2017
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se partia që ai drejton, vendos interesat e qytetarëve të Kosovës para çfarëdo interesi politik.
“E kam thënë më herët, po edhe sot – Partia Demokratike e Kosovës është partia që i vendos interesat e qytetarëve të Kosovës para çfarëdo interesi politik. PDK është partia e veprimeve dhe e vendimeve. PDK është partia që shënon rezultate për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.

Lideri i PDK-së ka treguar se gjatë ditës ka vizituar strukturat udhëheqëse të PDK-së në Malishevë, ndërsa i ka siguruar qytetarët e kësaj komune se Malisheva do të ketë një Fillim të Ri për një zhvillim të hovshëm dhe të gjithmbarshëm, veçanërisht në bujqësi dhe në prodhim.

Veseli ka thënë se koalicioni PDK-AAK-NISMA do ta shënojë fitoren më të madhe ndonjëherë.

“Koalicioni më AAK-në dhe NISMA-n është në interesin më të mirë të Kosovës dhe ne do ta shënojmë fitoren më të madhe ndonjëherë. Ne jemi një ekip udhëheqës që mund të marrë vendime dhe të arrijë rezultate për vendin. Ekipi ynë udhëheqës do ta jetësojë Fillimin e Ri për Kosovën, ku gratë dhe të rinjtë janë të barabartë në tregun e punës dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi”, ka shkruar Veseli.

Kreu i PDK-së ka theksuar po ashtu se Fillimi i Ri do të sjell zhvillim më të madh ekonomik, duke i fuqizuar gratë dhe të rinjtë dhe duke arritur përmbushjen e kritereve për integrim të plotë të Kosovës në BE dhe në NATO.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim, që fuqishëm t’i bashkoheni dhe ta përqafoni platformën tonë fituese që më 12 qershor së bashku t’i dhurojmë Kosovës Fillimin e Ri”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme