Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një vështrim botuar ekskluzivisht në portalin dhe revistën “New Europe” në Bruksel, tregon rrëfimin e Kosovës së re, duke e ilustruar atë me shkrime nga mediat botërore, dhe fton kolegët politikanë të dyfishojnë përpjekjet që t’i dëgjojnë njerëzit më shumë, më drejtpërdrejtë dhe më me sinqeritet.
“Duhet të besojmë në Kosovën, sepse vendi ynë tregon një rrëfim më të madh se territori i tij.” Kadri Veseli Kryetari i Kuvendit te Republikës së Kosovës Sipas Agjencisë Gallup, ky është shteti më pro-NATO në botë. Nivelet e krimit janë më të ulëta se në shumicën e kryeqyteteve, ndërsa rabinët hebrenj nga New York-u ndihen si “yje roku” kur vizitojnë vendin tonë, sipas raporteve nga Huffingon Post. Është vendi i makiatos më të mirë në botë.
Është shtet që fitoi Medaljen e Artë në Rio, në tentimin e parë për medalje të artë në Olimpiadën e parë, menjëherë pasi fitoi nominimin për Oskar, për herë të parë, për filmin e parë që u kandidua ndonjëherë. Sapo fituam edhe çmimin BAFTA, një film ky bashkë-prodhim me miq nga Britania, që trajtonte temën e refugjatëve në botë. Është një demokraci liberale, krenare që kishte zgjedhur një grua për herë të parë si Presidente në tërë Ballkanin, ndërsa është edhe shteti i vetëm në Europën Lindore që në mënyrë eksplicite ka inkuadruar të drejtat e komunitetit LGBT në Kushtetutë.
Gratë kosovare, po ashtu, po sundojnë skenën e muzikës botërore. Kjo është fytyra e Kosovës moderne dhe dinamike, shtetit më të ri europian që sot mbushi 9 vjet, teksa festojmë Ditën tonë të Pavarësisë. Kjo është edhe arsyeja se pse unë besoj në Kosovë. Po, është e vërtetë që nganjëherë kemi tensione të emocioneve Ballkanike me fqinjët tonë, por jemi duke punuar shumë për të promovuar pajtimin dhe tolerancën ndërfetare.
Presidenti Hashim Thaçi sapo themeloi Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, ndërsa konferencat tona ndërfetare promovojnë dialogun global për të ardhmen. Vetëm 17 vjet më parë, Kosova ishte shtet i shkatërruar nga lufta, ku “Kasapi i Ballkanit” Slobodan Milosevic zhvilloi gjenocid kundër shqiptarëve. Zhurma e krijuar me pavarësimin tonë nga Serbia ende është e pranishme në polet ekstreme të politikës botërore.
E majta ekstreme në botë nuk e pëlqen pavarësinë e Kosovës, sepse e konsideron si një “intervenim imperialist” nga liderët si Kryeministri Tony Blair dhe Presidenti Bill Clinton. E djathta ekstreme në botë e konsideron Kosovën të jetë “pikë e xhihadit mysliman”, krijuar përsëri nga – Blair ose Clinton. Në të vërtetë, disa nga personazhet më të zymta në peizazhin politik europian, sikurse vrasësi dhe fundamentalisti norvegjez Anders Behring Breivik, e kanë përdorur Kosovën si një thirrje kundër establishmentit normal politik në vendet e tyre.
Që të jemi të sinqertë, në këto kohëra të dyshimeve dhe raportimeve të zellshme për teoritë e “luftës midis qytetërimeve”, edhe disa raporte në media “normale” nuk ishin fort pozitive ndaj realitetit të ri të Kosovës. Një raport i paradokohshëm në NY Times për skenën e bukur të artit modern të Kosovës që po bën bujë nga Venediku në Nwe York, shpejt u pasua nga një shkrim që e përshkruante Kosovën si një “front të islamizmit ekstrem”. Megjithatë, në këtë përvjetor të Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, unë besoj se Kosova ofron një rrëfim unik, një mësim më të madh se vetë jeta, për të gjitha ata që besojnë në të bërit politikë në themele të integritetit njerëzor dhe se kjo politikë e bazuar në ca principe mund të sjellë një botë më të mirë.
Kosova ka sfida serioze të brendshme: papunësia është ende e lartë, polarizimet politike partiake dhe nacionalizmi i herëpashershëm kanë ofruar skena të pahijshme nga Kuvendi të cilin e drejtoj, dhe – është e vërtetë – në margjina të shoqërisë sonë, ekstremistët fetarë kanë okupuar një hapësirë që është bërë mjaft produktive edhe për gazetarë perëndimorë. Por, siç ua përsëris edhe miqve të Kosovës nga mbarë bota – si të djathtë ashtu edhe të majtë – si dhe qytetarëve të mi çdo ditë, dyshoj që mund të gjeni ndonjë kënd në botë ku progresi ka qenë aq i shpejtë dhe aq përmbajtjesor.
Siç dëshmojnë edhe institucionet globale financiare, ne kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike mesatare në dhjetë-vjetshin e fundit në Europën Lindore. Në këtë kohë të raportimeve të rrejshme mediale, fakteve alternative dhe “post-të-vërtetës”, është më me rëndësi se kurrë më parë të gjejmë shembujt ku veprimi i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare ka pasur sukses.
Është imperativ që mos të harrojmë se politikat ekzistojnë të sjellim ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve tonë – dhe fqinjëve tonë. Disa qytetarë të Kosovës më pyesin se si t’ia bëjnë në Kosovën e re, me telashe të tranzicionit politik dhe ekonomik? Dyshimet për sistemin e tashëm politik kanë depërtuar në çdo aspekt të shoqërisë, por sidomos tek ata më të lëndueshmit, si në fshatra angleze, ashtu edhe qytete amerikane apo lagjet kosovare.
Duhet t’i dëgjojmë këta zëra. Që Kosova të arrijë një vetëbesim të brendshëm dhe të projektojmë fuqinë tonë si një shtyllë dinamike dhe demokratike të stabilitetit në Europë, duhet ta përqafojmë momentumin e një politike inkluzive – që dëgjon qytetarin. Kolegëve politikanë, në këtë kohë të dyshimeve, ju them se duhet t’i dyfishojmë përpjekjet që t’i dëgjojmë njerëzit më shumë, më drejtpërdrejtë dhe më me sinqeritet. Duhet të besojmë në Kosovën, sepse vendi ynë tregon një rrëfim më të madh se territori i tij. Vendi ynë tregon rrëfimin e politikës që një ditë veproi në bazë të nevojave të njerëzve – dhe prej këtyre përpjekjeve, u lind një mrekulli.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...