Google ADS

Veseli: Kryeministri ia vulosi vetes fatin politik – PDK mbështet mocionin

19:22 | 20 Mars 2020
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në konferencë për media se kryeministri Albin Kurti iku nga përgjegjësitë dhe ia vulosi vetes fatin politik.

Ai tha se PDK do ta mbështesë mocionin për rrëzimin e qeverisë.

“Kjo ikje, në formë të tillë, është e padenjë. Sepse, nuk iket kur duhet të luftosh për popullin tënd. Por, si duket, ikja është puna që ky Kryeministër di ta bëjë më së miri.
Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një Qeveri dhe një Kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancën më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër”, tha Veseli.

Deklarata e plotë e liderit të PDK-së, Kadri Veseli:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Me të drejtë, qytetarët po irritohen nga politika në Kosovë.

Shembulli që argumenton këtë – janë veprimet e fundit të partnerëve të këtij koalicioni qeverisës.

Në kohën e një ankthi kolektiv të ballafaqimit me pandeminë, kur familjet tona janë të shqetësuara për fatin e secilit, të humbet arsyeja dhe të krijohet krizë për hesape personale dhe partiake, është më tepër se papërgjegjësi institucionale.

Është mungesë elementare e përgjegjësisë humane.

Ndërsa, fajësimet e ndërsjella – për përfitime politike, në këto rrethana të rënda, janë dyfishim i krizës, që qytetarët s’ua kanë borxh.

Është dëm nacional.

Faji dhe përgjegjësia është krejtësisht vetëm e këtij koalicioni qeverisës.

Partia Demokratike e Kosovës, dhe as unë, as nuk e kemi ndihmuar dhe as nuk e kemi shkaktuar, me asnjë veprim, këtë situatë.

Ju e dini këtë.

Dua ta bëj të qartë edhe një herë: nuk jemi pjesë e asnjë skenari të tillë.

E kam shpallur opozitën, pak orë pas mbylljes së votimeve më 6 tetor. Opozitë për katër vjet.

E kam respektuar vullnetin qytetar. Dhe, u kam lënë hapësirë partive që kanë fituar për ta krijuar sa më parë Qeverinë.

Tani, kemi një situatë tërësisht të papritur, të krijuar nga vetë koalicioni qeverisës.

Të dashur qytetarë,

Si opozitë, nga dita e parë, kemi ngritur zërin shqetësues, por edhe ofruar alternativa dhe gatishmëri për tejkalimin e çdo situate me të cilën jemi përballur.

Sfidat që kemi përpara, i kemi ditur të gjithë. Asgjë nuk ka qenë e papritur dhe e paditur, për secilin prej nesh, edhe para zgjedhjeve. Përveç pandemisë së coronavirusit.

Shfaqja e COVID-19 i ka rritur sfidat dhe do të duhej ta shtonte edhe përgjegjësinë e qeveritarëve.

Për t’u ballafaquar sa më lehtë me këtë pandemi, të gjithë e dimë se kërkohet guxim, menaxhim efikas dhe domosdoshmëri për bashkëpunim.

Në këtë kohë të pandemisë, edhe pse me shume vonesa, ajo që u kërkua nga Qeveria – u mbështet dhe u respektua nga qytetarët e Kosovës.

U mbështet edhe nga ne si opozitë.

Ata patën mundësinë dhe nuk kishin asnjë pengesë.

Ndërmarrësit filluan t’i mbyllin bizneset, filluan t’i respektojnë këshillat e institucioneve.

Por, pikërisht në kulmin e izolimit dhe bllokimit të jetës së qytetarëve, politika e krijoi edhe një krizë. Edhe një panik!

Lufta politike u bë agjendë primare, ne vend të luftës kundër armikut të përbashkët – virusit që po e sulmon njerëzimin.

Nuk u morën në konsideratë brengat qytetare.

As sakrifica financiare dhe paralizim i tërë ekonomisë.

Me një fjalë, qytetarët u treguan të përgjegjshëm, edhe me humbjet e veta dhe friken, ndërsa kjo Qeveri u soll e papërgjegjshme me ta.

Sot, nuk ka qytetarë në Republikën e Kosovës që nuk është i revoltuar me politikën.

Më duhet t’ju them se as unë nuk jam i kënaqur me situatën ku ndodhemi.

Por, ekziston një dallim i madh mes PDK-së si opozitë dhe koalicionit qeveritar. Krizën e shkaktuan ata.

Ne politikanet kemi marrë besimin qytetar. Dhe, në kohë krize, nuk do të duhej të shpërdorohej ky besim për nevoja partiake.

Kosova dhe qytetarët e saj janë arsyeja dhe qëllimi pse jemi në politikë. Dhe, kështu do të duhej të ishte për secilin.

Por, pikërisht tani, në këtë kohë të konfuzionit, frikës, paralizimit të jetës së qytetarit, po provokohet rrëzimi i Qeverisë.

Dhe ky provokim dhe kjo krize nuk po vjen nga ne opozita, por nga vetë partnerët e koalicionit!

Si opozitë, kemi qenë të gatshëm ta japim përkrahjen aty ku do të vlerësonim se është pozitive për interesin e vendit.

Më vjen keq që asnjëherë nuk u kërkua ndihma sinqerisht, sepse do ta jepja për të mirën e Republikës së Kosovës.

Kritikat e mia kanë pasur për qëllim sinjalizimin e qartë për rrezikun që po i vinte Kosovës nga mënyra e trajtimit të aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Kryeministrit aktual.

Në kohën më të ndjeshme për Kosovën, Qeveria në vend se të rimëkëmbte marrëdhëniet e lënduara me SHBA-të, ajo përkundrazi nxiti dhe orkestroi një frymë anti-amerikane përmes neglizhimit të qëllimshëm të rekomandimeve amerikane dhe përmes diskursit kundërshtues e përçarës ndaj SHBA-ve, përmes militantëve partiakë.

Në këtë vend, me të kaluarën tonë tragjike dhe me historinë e intervenimit amerikan që shpëtoi popullin tonë, kurrë nuk do të duhej të ishte bërë kjo temë.

Por, Kryeministri me qeverisjen e vet e bëri këtë.

Kryeministri është dashur të mos fliste fare për këtë çështje, por të vepronte. Ka mundur mirë dhe lehtë ta bënte këtë, për interes shtetëror dhe kombëtar, pa pasur nevojë të godasë secilin që i del përpara.

Të nderuar qytetarë,

Kjo ikje nga përgjegjësia, institucionale dhe morale, dhe ky vet-dorëzim i Kryeministrit, duke provokuar vet me veprimet e tij mocionin e mosbesimit, është i turpshëm. Sepse, po ndodh pikërisht në kohën kur do të duhej të punonte për unitet e bashkëpunim dhe jo për përçarje e ndasi.

Andaj, ai vetë po ia vulos vetes fatin e tij politik si Kryeministër, bashkë me partnerin e tij, me të cilët premtuan aq shumë e nuk bënë asgjë për gati dy muaj qeverisje.

Ky është akti i vetë-dorëzimit të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij, pa dallim partiak, përballë sfidave që ka vendi ynë.

Kjo ikje, në formë të tillë, është e padenjë.

Sepse, nuk iket kur duhet të luftosh për popullin tënd.

Por, si duket, ikja është puna që ky Kryeministër di ta bëjë më së miri.

Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një Qeveri dhe një Kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancën më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër.

Personalisht, nuk ia kam dëshiruar largimin e këtillë. Kjo mënyrë e largimit – nuk është fundi i tij i duhur, por ndoshta është fundi i tij i merituar. Ndoshta, edhe fundi i tij i vet-dëshiruar dhe i kalkuluar.

Nuk e di se çfarë Qeverie do të mund të jetë më e dëmshme se kjo aktualja për vendin, por i siguroj qytetarët dhe votuesit e PDK-së se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti.

E kam bërë të qartë, që më 6 tetor, se PDK do të qëndrojë në opozitë dhe se do të punojmë shumë për të shtyrë përpara çdo agjendë që është në interes të qytetarëve të vendit.

PDK është lidere e opozitës politike dhe do t’i nënshtrohet vetëm kërkesave që janë në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Vendimet dhe veprimet tona do të jenë në pajtim me kërkesat dhe nevojat qytetare, shtetërore dhe kombëtare.

Si opozitë, në parim, ne e mbështesim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por kjo s’do të thotë se ne do të ndryshojmë kursin dhe statusin aktual politik.

Në rrethana normale, do të kërkonim zgjedhje të parakohshme. Por, me pandeminë këtu – e dimë se kjo është e pamundur aktualisht.

Karshi zhvillimeve të ditëve të ardhshme, do të marrim edhe vendimet e tjera të nevojshme.

Por, vendimet e PDK-së për këtë situatë dhe situatat pasuese gjithmonë do të ruajnë interesin tonë strategjik nacional dhe do të krijojnë siguri dhe të ardhme për qytetarët tanë dhe shtetin.

Edhe në këtë kohë të pasigurisë, të shkaktuar nga lojërat e partnerëve të koalicionit qeverisës, i ftoj qytetarët që të ndjehen të sigurt në shtëpitë dhe në shtetin e tyre.

Të prekurve nga virusi COVID-19 ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe i falënderoj nga zemra gjithë personelin shëndetësor, atë të sigurisë publike dhe të administratës, për punën dhe sakrificën e madhe që janë duke bërë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme