Google ADS

Veseli: Kosova në OKB me kufijtë e saj të pavarësisë

08:55 | 6 Gusht 2018
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dhënë përgjigje debateve e shkrimeve të ndryshme mediale sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe mundësisë së ndarjes së Kosovës.

Veseli ka thënë se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e mungesës së veprimit institucional, që prodhon konsensus e vendimmarrje shtetërore.

Si rezultat, sipas Veselit, ky debat e ka humbur krejtësisht seriozitetin, për të përfunduar në një qarkullim të lirë pa doganë të teorive të konspiracionit dhe tërheqje vijash të reja në hartën politike të Kosovës e rajonit, sipas preferencave subjektive.

“Por, vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë te qarta. Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut. Kosova do të shkojë në Dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike. Kjo është agjendë e jona e përbashkët, me SHBA-në dhe BE-në. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje”, ka thënë Veseli në një shkrim autorial të botuar në Koha Ditore.

Sipas kreut të Kuvendit, ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999.

“Kosova nuk ka asgjë për të dhënë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm. Kosova do të hyj në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë”, ka thënë ai.

Lideri i PDK-së po ashtu ka thënë se debati publik i ditëve të fundit për dialogun e Kosovës me Serbinë, ka dalë jashtë kornizave të një debati që i ndihmon publikut, institucioneve dhe avancimit të proceseve të shtetit dhe me mënyrën se si ato po trajtohen, sipas Veselit kanë krijuar një klimë të panevojshme tensioni, frike e pasigurie tek qytetarët.

“Në të njëjtën kohë, Serbia, e interesuar në vazhdimësi për jostablitet në Kosovë, me propagandën e saj politiko-mediale, duke përdorur teknikat e reja të fake news, vazhdon t’i kontribuoj kësaj klime dhe tendencave për të prodhuar tensione. Efekti i synuar, gjithmonë i njëjtë: Të krijohet perceptimi ndërkombëtar për Kosovën si një vend jostabil e problematik, që nga ditë në ditë pritet të shpërthej dhe shpërbëhet! Kur ndalesh e lexon opinionet plot alarm, që hidhen nëpër portale e media tjera sociale, të krijohet përshtypja se jemi në prag të një kataklizme globale, epiqendra e të cilës ndodhet në Kosovë”, ka shkruar Veseli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme