Google ADS

Veseli: Kosova e zhvilluar është nderimi më i madh që mund t’u bëjmë heronjve

14:13 | 10 Tetor 2017
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së re të dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, në Junik.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit tha se vendosja e kësaj shtatoreje të re në qendër të Junikut, është nderim për figurën e ndritur të heroit Edmond Hoxha, por,
njëkohësisht, është edhe një mesazh reflektimi që të kihet kujdes në mënyrën se si i nderohen heronjtë.

Veseli tha se qytetet dhe sheshet tona janë të mbushura me shtatore heronjsh, të cilët meritojnë të vendosen në ato vende, por në shumë raste cilësia artistike e nkëtyre shtatoreve është jashtë mase e dobët. E tillë, shtoi Veseli, ishte edhe shtatorja paraprake e Edmond Hoxhës këtu në qendër të Junikut.

“Kur isha herën e fundit në vizitë zyrtare në Junik u preka nga cilësia e dobët e shtatores. Bashkëbisedova me miq, artistë e bashkëluftëtarë dhe vendosëm ta
ndërtojmë një shtatore të re për heroin tonë Edmond Hoxha. Jam i lumtur që ky premtim u realizua shpejt”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Veseli tha se vendosja e shtatores së Edmondit në qendër të Junikut, njërit prej luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, ka domethënie të shumëfishtë.

“Ne nderojmë veprën e tij në shërbim të atdheut dhe njëkohësisht edhe traditën e madhe patriotike të Junikut. Ishte pikërisht kjo traditë që frymëzoi Edmond Hoxhën, prandaj ai nuk është një hero i rastit”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit shtoi liria e arritur, e as shteti, nuk funksionojnë pa zhvillim ekonomik dhe pa mirëqenie qytetare.

Ai tha se fokus i punës duhet të jetë përqendrimi i të gjitha energjive në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në hapjen e vendeve të reja të punës, në ngritjen e
cilësisë në arsim e shëndetësi, në sigurimin e shërbimeve publike efikase për qytetarët, në përkrahjen e sipërmarrësve që duan të punojnë e prodhojnë në vendin e tyre dhe në shndërrimin e komunave tona nga qendra të burokracisë shtetërore, në qendra të zhvillimit ekonomik lokal.

“Një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht, një shoqëri e begatshme për qytetarët e saj – ky është nderimi më i madh që mund t’u bëjmë heronjve tanë që dhanë jetën për liri”, theksoi Veseli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme