Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar në lidhje me debatet e ditëve të fundit rreth mundësisë që në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe ndryshimi i kufijve.
Në një koment të publikuar sot në “Koha Ditore”, Veseli ka shkruar rreth pozicionit të tij dhe të partisë që udhëheqë në raport me idetë për ndarjen e Kosovës, apo edhe ndryshimin e kufirit, që kohët e fundit është paralajmëruar si korrigjim i kufijve.
Ky është shkrimi i Veselit:
Debati publik i ditëve të fundit për dialogun e Kosovës me Serbinë ka dalë jashtë kornizave të një debati që u ndihmon publikut, institucioneve dhe avancimit të proceseve të shtetit.
Me temat e ngritura prej këtij debati, dhe me mënyrën se si ato po trajtohen, është krijuar një klimë e panevojshme tensioni, frike e pasigurie tek qytetarët tanë.
Në të njëjtën kohë, Serbia, e interesuar në vazhdimësi për jostablitet në Kosovë, me propagandën e saj politiko-mediale, duke përdorur teknikat e reja të fake news, vazhdon t’u kontribuojë kësaj klime dhe tendencave për të prodhuar tensione.
Efekti i synuar, gjithmonë i njëjtë: Të krijohet perceptimi ndërkombëtar për Kosovën si një vend jostabil e problematik, që nga dita në ditë pritet të shpërthejë dhe shpërbëhet!
Kur ndalesh e lexon opinionet plot alarm, që hidhen nëpër portale e media të tjera sociale, të krijohet përshtypja se jemi në prag të një kataklizme globale, epiqendra e së cilës ndodhet në Kosovë.
Por le të ndalemi e të rikujtojmë të gjithë se si nisi e tërë kjo.
Kur propozuam tryezë partish, me qëllimin që në mënyrë demokratike t’i bisedojmë të gjitha çështjet serioze të dialogut, dhe jo vetëm, e pastaj, përmes konsensusit dhe në mënyrë institucionale e të argumentuar t’u japim zgjidhjen më të mirë këtyre çështjeve – kjo iniciativë nuk u përmbush, shkaku i mosbashkëpunimit partiak, i motivuar krejtësisht nga agjendat e ngushta partiake e aspak shtetërore.
Në një fazë tjetër, propozuam që konsensusi të ndërtohet në institucionin më të lartë të shtetit, në Kuvendin e Kosovës. Ofruam për diskutim edhe platformën me shkrim dhe arritje të konsensusit të përbashkët, por edhe kjo gjë nuk u mor parasysh.
Partitë politike opozitare në Kuvend nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore, pjesë e dialogut, i cili adreson interesat e shtetit, e jo të partive politike. Fatkeqësisht, sindroma e vjetër e bajraktarizmit primitiv po shfaq shenjat e tij në krejt këtë situatë.
Sigurisht që përgjegjësinë kryesore për këtë e bart LDK-ja, e cila, në njërën anë, poshtë e lart, vetëpromovohet si parti institucionaliste, derisa, në anën tjetër, praktikisht vepron kundër frymës institucionale. Respektimi i kësaj fryme sot, më shumë se kurrë në këta dhjetë vjet, është domosdoshmëri dhe obligim i të gjithë përfaqësuesve politikë në vend.
Në këtë situatë të krijuar nuk duhet habitur pse në mungesë të veprimit institucional, që prodhon konsensus e vendimmarrje shtetërore, debati është zhvendosur në virtualitetin e mediave sociale, e si rezultat ky debat e ka humbur krejtësisht seriozitetin, për të përfunduar në një qarkullim të lirë pa doganë të teorive të konspiracionit dhe tërheqje vijash të reja në hartën politike të Kosovës e rajonit, sipas preferencave subjektive.
Por në fund të fundit, meqë jetojmë në një shtet demokratik, duhet ta pranojmë si të mirëqenë faktin se mendimet e njerëzve janë të lira. Gjithmonë do të jenë të tilla në shoqërinë tonë.
Por vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë te qarta.
Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e dialogut.
Kosova do të shkojë në dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obliguese – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euroatlantike.
Kjo është agjendë e jona e përbashkët me SHBA-në dhe BE-në.
Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje.
Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë në vitin 1999.
Kosova nuk ka asgjë për të dhënë.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm.
Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe në BE me kufijtë e saj të pavarësisë.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...