Google ADS

Veseli: Ka ardhur koha për një fillim të ri

17:46 | 22 Prill 2017
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ka ardhur koha për një fillim të ri, i cili do të fokusohet krejtësisht në veprimtarinë prodhuese, e cila do të jetë motor i zhvillimit ekonomik në vend.

Këto komente Veseli i bëri sot në hapjen e panairit për promovimin e produkteve vendore në Prizren, i cili u organizua nga shoqata e zejtarëve dhe bizneseve “ESNAF”.

Kryetari Veseli tha se problemi më i madh që vazhdon ta preokupojë qytetarin e Kosovës, është papunësia dhe kjo çështje sipas tij kërkon ndërhyrje urgjente.

 

“Të gjitha familjet tona kanë problem me papunësinë. Si mund të arrijmë ta zgjidhim këtë situatë. Këtë problem kaq të madh. Kjo mund të arrihet vetëm duke punësuar njerëz. Dhe për t’i punësuar, duhet të kemi veprimtari prodhuese. Duhet të kemi prodhim vendor. Do të thotë ka ardhur koha e një kthese të madhe në Kosovë. Ka ardhur koha e një fillimi të ri, i cili do të orientohet, Kosovën do ta orientojë në punë, në veprimtari prodhuese. I cili do tu japë perspektivë atyre njerëzve që kanë ide kreative, inovative. Atyre njerëzve të cilët janë punëtorë”, tha Veseli.

Kreu i legjislativit me tutje shtoi se pikërisht kjo do të jetë prioritet i tyre, pasi sipas tij, nuk ka nevojë që paratë e taksapaguesve të kalojnë në shpenzime, të cilat janë vetëm konsum. Po ashtu, Veseli tha se orientimi i institucioneve do të jetë nga këto biznese.

 

“Cikli i vendimeve tona vendimmarrëse, veçanërisht në institucionet tona do të orientohet nga bizneset vendore, në mënyrë që jo vetëm t’i japim primat çdoherë vetëm eksporteve, importeve në fakt. Keni parasysh që kemi bilancin tregtar më negativ në Evropë, me aq sa di unë. Rreth 90% vetëm importojmë, e vetëm 10% eksportojmë. Kosova në varfërinë e vet sociale jep kaq para të gatshme. A mund të vazhdojë kjo? Jo assesi. Cila është zgjidhja. Zgjidhja është tek njerëzit punëtorë. Zgjidhja është pikërisht tek këta njerëz, të cilët i kanë ekspozuar produktet e tyre në mënyrë që edhe byrokracia jonë të mos u krijojë probleme. Po me vendimmarrje t’u jepet përkrahje këtyre produkteve”, theksoi Veseli.

Veseli ka inkurajuar të gjitha bizneset të cilat janë prodhuese, të vazhdojnë veprimtarinë e tyre prodhuese, pasi do të ketë hapa dhe masa të vendimmarrjes institucionale, të cilat do të jenë tërësisht në përkrahje të tyre, raporton KosovaPress.

Ubejd Hoxha, përfaqësues i Mishtores “Shantiri”, theksoi se panairi është shumë i rëndësishëm për ta, pasi qytetarët mund ta dallojnë kualitetin, por edhe cilësinë.

 

“Panairi është shumë i rëndësishëm për ne, pasi qytetarët mund ta dallojnë kualitetin, por edhe cilësinë. Ne jemi paraqitë me produkte të mishit si për shembull, proshutë, suxhuk, mish, kështu normal, të gjitha produktet e mishit që janë. Po marrim pjesë për të 5-ten herë radhazi. Domethënë për çdo vit që organizohet nga Shoqata ‘Esnafë’ marrim pjesë. Po edhe panaire tjera që bëhen në Prizren marrim pjesë aty. Domethënë mundohemi më të mirën, gjithmonë në shërbim të konsumatorit”, tha Hoxha.

Ndërsa, Boesa Elshani, përfaqësuese e kompanisë “Aronia”, që shet produkte gjermane, theksoi se “Aronia” është produkt qind për qind natyral dhe rregullon pasqyrën e gjakut, sasinë e sheqerit dhe të yndyrës në organizëm. Ajo tha se janë për herë të parë në këtë panair, derisa e ka vlerësuar të rëndësishme pjesëmarrjen për ta.

 

“Mendoj se panairi është mjaft i rëndësishëm për të njoftuar popullatën lidhur me produktet tona. Se si mund ata të ngrisin shëndetin e tyre me anë të mënyrës natyrale. Gjatë kësaj dite, qytetarët kanë pasur një interesim me të vërtetë shumë të madh”, shtoi ajo.

Sot Shoqata “Esnafi” kremtoi edhe 23 vjetorin e themelimit dhe ky panair u organizua në ditëlindjen e 23 të kësaj shoqate.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme