Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dhënë një sqarim lidhur me konsensusin e arritur sot në mes të partive sa i përket ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Veseli në një postim në Facebook ka treguar se çka është arritur pas bisedës që ka pasur me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përcjell arbresh.info.
“Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Ai gjithashtu ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe që të votojnë pro demarkacionit.
Ky është postimi i plotë:
Lidhur me konsensusin e arritur sot mes subjekteve politike për çështjen e demarkacionit, dua të bëj një sqarim.
Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit.
Falënderoj Kryeministrin Haradinaj dhe LDK-në për vullnetin e mirë që t’i kontribuojnë arritjes së konsensusit nacional.
Ftoj edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë “pro” Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi.