Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë gjatë marsit një marrëveshje me të cilën do të eliminohen procedurat e burokratike për shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve.
Kryeparlamentari Veseli, në një prononcim për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se gjatë vizitës dyditore në Tiranë kanë biseduar për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare. “Nuk jemi të kënaqur me nivelin e shkëmbimeve tregtare të cilat i kemi aktualisht”, tha Veseli.
“Sihariq i mirë është se gjatë marsit do të kemi nënshkrimin e një marrëveshje shumë më rëndësi që lehtëson, përkatësisht eliminon procedurat e burokratike të këtij shkëmbimi të mallrave, në mënyrën që prodhimet vendore shqiptare dhe ato nga Kosova të kenë një plasman në tregjet e përkatëse, në mënyrë më të lirshëm të edhe më të lehtë dhe me çmim i cili është më i leverdishëm, duke i pasur parasysh edhe kualitetin e produkteve, të cilat janë biologjike”, tha kreu i Kuvendit.
“Prodhuesit vendës kosovarë dhe të shtetit shqiptar duhet të plasojnë produktet e tyre më lehtësisht në tregun tonë”, shtoi ai.
“Vizita ishte e planifikuar më moti, nuk interferuam në çështjet partiake në Tiranë”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka qëndruar të hënën dhe të martën në vizitë zyrtare në kryeqytetin shqiptar. Me këtë rast, ai ka takuar homologun e tij – kryetarin e Kuvendit shqiptar, Ilir Meta; presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama; liderin e opozitës, Lulzim Basha, dhe disa liderë të tjerë partiakë.
Vizita e tij u bë pikërisht në kohën kur opozita ka ngrehur çadrat para Kryeministrisë Shqiptare, me kërkesë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe formimin e një qeveri teknike deri në zgjedhjet e ardhme.
I pyetur nga Ekonomia Online, kryeparlamentari Veseli e pranon se kjo ndoshta nuk ishte koha më e duhur për vizitën e tij. Por, ai sqaron se vizita ka qenë e planifikuar më herët.
Ai ka falënderuar përfaqësuesit e gjithë spektrit politik në Shqipëri që në takime më të “janë bashkuar”, duke lënë anash ndasitë e momentit.
“Jam shumë falënderues që në çdo takim, edhe pse e kemi pasur protestën e opozitës, është bërë një përjashtim. Me rastin e vizitës sime ka pasur pjesëmarrës edhe nga opozita të PD-së, qoftë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, qoftë në një takim shumë të përzemërt që e kam pas më liderin e opozitës Lulëzim Basha”.
“Sa i përket kontekstit të vizitës vizita ka qenë e paraparë në një kohë shumë më të hershme e cila ka qenë e parapërgatitur me gjithë faktorët politikë në Shqipëri, institucionalë dhe ata opozitarë”, tha Veseli.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunim me njëri tjetrin pa pasur interferimin në çështje të cilat janë tërësisht partiake politike, por mbi të gjitha qëndron interesi i jonë i përbashkët i në rrugëtimin euro-atlantik, dhe do të vazhdojmë këtë bashkëpunim”.
Veseli: Po mundohemi të marrim përvojat më të mira të Republikës së Shqipërisë për integrim në NATO
Duke bërë një përmbledhje të qëllimit të vizitës dyditore në Shqipëri, kryeparlamentari Veseli tha se për Republikën e Kosovës, dhe për të si lider politik në Kosovë, është shumë më rëndësi thellimi i partneritetit me Republikën e Shqipërisë, dhe në të njëjtën kohë intensifikimi i kontakteve.
“Asgjë nuk na ndan me Republikën e Shqipërisë, qoftë nga aspekti i orientimeve tona apo qëllimeve politike dhe strategjike. Integrimet euroatlantike janë prioritete në dy vendet tona. Shqipëria ka bërë progres veçanërisht në fushën e integrimit në NATO; është anëtar i plotë i NATO-s”.
“Kosova aspiron dhe do të jetë pjesë e kësaj Aleance. Po mundohemi të marrim përvojat më të mira të Republikës së Shqipërisë, shumë shpejt do ta kemi edhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në ushtri të Kosovës e cila do të jetë e përkrahur nga partnerët tanë ndërkombëtarë, në krye me ShBA-në”, theksoi Veseli.
Parashikimi i motit për këtë të dielë
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...