Krerët e koalicionit “Fillimi i Ri”, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, duke u zotuar për angazhimin e menjëhershëm pas 11 qershorit për përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë në vend.
Ky memorandum parasheh rritjen e pagave prej 30 për qind për të gjithë punëtorët shëndetësorë, furnizim të rregullt me barna dhe materiale shpenzuese, si dhe investime kapitale në infrastrukturën shëndetësore.
Pas nënshkrimi të memorandumit, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se gjendja në shëndetësinë e Kosovës duhet të ndryshojë urgjentisht dhe se ky sektor, sipas tij, do të jetë ndër prioritetet kryesore të koalicionit qeveritar. Veseli siguroi se çdo student që përfundon studimet në fushën e shëndetësisë, do të gjej vend pune në Kosovë, e jo të shikojë mundësinë e ikjes në vendet e tjera.
“Shëndetësia është sektor i veçantë. Në të njëjtën kohë, rritja e pagave në sektorin shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve, zotimi të cilin e kemi si koalicion qeverisës që në katër vitet të përmirësojmë kualitetet e shërbimeve por edhe kuantitetin e shërbimeve shëndetësore, ka për qëllim pikërisht zotimin tonë që qytetarët tanë të kenë jetë më të sigurt, shërbime më cilësore, në mënyrë që të përmirësojmë situatën aktuale në sektorin e shëndetësisë. Ju kemi dhënë fjalën dhe jemi zotuar së bashku me kryeministrin, nuk do të ketë asnjë person në Republikën e Kosovës që i mbaron studimet e mjekësisë që do të mbetet pa punë”, tha Veseli.
Nga ana e tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është edhe kandidat i koalicionit për kryeministër, u zotua se memorandumi i arritur me Federatën e Sindikatave Shëndetësore, do të nisë së zbatuari që në ditët e para të punës së qeverisë së re.
“Personeli mjekësor, punëtorët mjekësor, nga mjekët, infermierët e teknikët mjekësorë janë heronjtë tanë. Ata e kanë mbajtur gjallë kujdesin shëndetësorë në kohërat më kritike edhe gjatë luftës kur na kanë qëndruar pranë dhe ne u jemi mirënjohës edhe për punën që sot e bëjnë në kushte jo të mira. Prioritet i yni është rritja e buxhetit për shëndetësinë, pastaj vazhdon rritja e pagave, pas nuk ka pasur rritje në tri vitet e fundit, me mundësi do të rriten në te muajt e parë eventualisht. Dhe vazhdon kështu me pagesën e rrezikshmërisë, me furnizimin me barëra dhe ilaçe me rregull ose adekuat”, tha Haradinaj.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, falënderoi krerët e koalicionit Fillimi i Ri për interesimin e treguar për fushën e shëndetësisë, ndërsa u shpreh i bindur se nëpërmjet këtij memorandumi, do të ndikohet në përmirësimin esencial të gjendjes së shëndetësisë kosovare.
“Unë jam shumë i gëzuar që më në fund, një parti, një koalicion, e ka marrë seriozisht dhe e ka kthyer në problem nacional shëndetësinë. Andaj si e tillë, jam shumë i lumtur që sot i kemi marrë obligimet e përbashkëta, t’i rregullojmë kushtet e punëtorëve shëndetësorë, t’u ofrojmë kushtet atyre, me qëllimin e vetëm, që ky popull ta merr një shërbim të mirë të cilin e meriton në bazë të gjitha asaj sakrifice që ka bërë me vite të tëra”, tha Syla./Lajmi.net/
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...