Veriu s’gjeti qetësi as në 2024-ën, sfidat për autoritetet e sigurisë vazhduan, por ishin më të vogla se në 2023

19:00 | 1 Janar 2025
K.B

Viti 2024 ishte më pak sfidues për autoritetet e sigurisë së Kosovës, që veprojnë në Mitrovicën veriore.

Kështu vlerëson zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një intervistë për Arbresh.info.

Sipas tij, vit 2024 lirisht mund të shihet si një vit më i mirë se viti 2023, sa i përket gjendjes së sigurisë në veri të vendit.

Megjithatë, sfidat e Policisë së Kosovës në këtë pjesë të vendit nuk ishin të vogla as këtë vit.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri nga viti 2022 e edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të punojnë me një orar 12 orësh.

Shpërthimet me granat dore në stacionin policor në veri, tek komuna dhe shpërthimi tek kanali i lumit “Ibër Lepenc”, sipas tij, janë disa nga ngjarjet e rënda që përfshinë veriun edhe këtë vit.

“Çfarëdo që ka ndodhur në vitin 2024 në veri të Kosovës është më pak ajo se çfarë ka ndodhur në vitin 2023. Për arsye se në vitin 2023 e kishim Banjskën, ku një polic i joni është vrarë, e kemi pasur një situatë shumë të rëndë, po ashtu në krahasim me vitin 2022 është një situatë më e mirë. Në vitin 2024 i kishim disa sfida, sfida të cilat na ndodhën në nëntor të këtij viti në këtë anë, shpërthimet me granata dore të stacioni i policisë apo te komuna ose tek kanali i lumit “Iber Lepenc”. Përndryshe në përgjithësi situata është e qetë mirëpo është delikate”, thekson Elshani.

Elshani, thotë se qytetarët në këtë pjesë të vendit trajtohen njëjtë, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Ne vazhdimisht kemi bashkëpunim të mirë me qytetarët, mirëpo kemi raste kur ne e dimë që ata hezitojnë me tregu bashkëpunimin e tyre që kanë me ne, apo ne nuk kemi mundësi me e tregu që me u qas tek ata për arsye të presioneve të ndryshme që na vijnë nga shteti i Serbisë, e jo nga qytetarët. P.sh qasja jonë tek edukimi është shumë sfidues, për arsye se ata e dinë që ne jemi këtu për të ju ndihmuar dhe kurdo që ata vijnë tek ne u asistojmë. Por kërkohet që ato të mos bëhen shumë publike për arsye se ata frikësohet se do të kenë probleme me shtetin e Serbisë”, tregon ai.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, tregon se komunikimi, bashkëpunimi dhe koordinimi me njësitet në teren dhe komandantët e stacioneve, s’ka si të jetë më i mirë.

“Policët kërkojnë me pas logjistikë, me pas pajisje më të mira, gjatë gjithë kohës mirëqenien e vetë me pas më mirë, si me automjete, me pajisje teknologjike, çkado që kemi, me pas edhe më shumë. Policët i kryejnë detyrat e veta, në vazhdimësi janë në orar 12 -orësh që nga viti 2022”, thotë Elshani.

Prioritet i policisë, sipas tij, është qasja te popullata dhe komunikimi me ta.
Duke marr parasysh që veriu është ende pjesë e ndjeshme e vendit dhe vazhdimisht në qendër të lajmeve, Elshani thotë se ka një komunikim të mirë me gazetarët, duke veçuar mediat lokale serbe në veri.

“Ne komunikimin e kemi shumë të mirë me gazetarët, mund të themi që kemi bashkëpunim më të mirë me mediat lokale që janë në këtë vend, ne i kemi përdorë edhe si dorë operative, p.sh. kemi shkuar në një vend kemi marrë mediumin me vete kemi treguar se çfarë po zhvillohet aty nuk kemi arrestuar njerëz, por jemi duke u marrë me kripto valuta po e zëmë”, tregon ai.

Ndryshe, edhe gjatë vitit 2024 pati disa tensione në veri, por jo siç ishte vite më parë. Shpërthime me granata dore, në objektin policor, në objektin komunal dhe sulmi më i rëndë ishte ai i mbrëmjes së 29 nëntorit, në një fshat të komunës së Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe, ku si pasojë e një shpërthimi u dëmtua kanali “Ibër Lepenc”.

Nga dëmtimi i këtij kanali, u rrezikua mbetja e gjysmës së Kosovës pa ujë dhe energji elektrike, pasi furnizimi me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u shërben disa qyteteve dhe termocentraleve të vendit, që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e kishte cilësuar sulmin akt kriminal dhe terrorist, që synonte dëmtimin e infrastrukturës thelbësore të vendit. Lidhur me këtë sulm, pati reagime të ashpra edhe nga ndërkombëtarët, duke e dënuar atë.

Ndërkohë, fillimisht si të dyshuar për këtë sulm ishin arrestuar tetë persona, ndërsa më vonë vetëm ndaj njërit prej tyre, Jovan Viqentijeviq Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë prej 30 ditë paraburgim lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024./ Arbresh.info/

Të ngjashme