‘Veriu në dry’, Qeveria i kundërpërgjigjet skenarit serb

08:20 | 2 Korrik 2019
Arbresh.info

Mbi 150 dyqane tregtare në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe lokale të të gjitha llojeve do të mbahen të mbyllura edhe gjatë ditës së sotme (e martë) në kuadër të planit të Serbisë për “katastrofë humanitare” në katër komunat veriore të Kosovës.

Mirëpo Qeveria e Kosovës që nga dita e djeshme ka vendosur pika shitëse në veri për t’i furnizuar me mallra qytetarët e asaj pjese, shkruan gazeta “Zëri”.

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme i është kundërpërgjigjur planit të Serbisë për katastrofë humanitare në veri të vendit, pas mbylljes së të gjitha marketeve nga afaristët lokalë serbë.

Në bashkëpunim me bizneset kosovare Qeveria ka hapur disa pika shitëse për t’i mbrojtur dhe për t’u siguruar furnizim të mjaftueshëm qytetarëve në atë pjesë të veriut. Sipas të parit të ekzekutivit Ramush Haradinajt, simulimi i katastrofës humanitare në veri është përpjekje e Serbisë për destabilizim, porse Qeveria do të mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj pa dallim, shkruan tutje “Zëri”.

“Sot edhe një herë ua kemi dhënë përgjigjen institucionale të gjitha veprimeve të orkestruara nga Serbia, përgjigje e cila vulos sovranitetin e vendit, solidaritetin qytetar, përgjegjësinë dhe kujdesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës speciale, që orkestrohet nga agjentë të jashtëm. Kosova është shtet që ne e ndajmë bashkë si shoqëri”, ka thënë Haradinaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme