Marrëveshja për shuarjen e strukturave paralele dhe shtrirjen e sistemit të drejtësisë edhe në veri të Mitrovicës ka mbetur pezull.
Ndonëse ishte paraparë që me 10 janar të këtij viti Serbia të njoftojë me shkrim Bashkimin Evropian për shfuqizimin e kontratave të punës dhe ndërprerjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët serbë të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës, një gjë e tillë edhe pas tre muajsh nuk ka ndodhur.
Kjo ka pamundësuar dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se tash për tash ka pezulluar çfarëdo deklarate rreth marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kam pezulluar deklarimet për dialog për të respektuar rezolutën e Kuvendit”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, thotë se kjo zvarritje e lë prapa sistemin e drejtësisë në Veri, edhe kjo nuk varet prej Këshillit.
“Me vet faktin që po zvarritet emërimi i gjyqtarëve serbë në veri të Mitrovicës, ndikon në sistemin e drejtësisë në atë pjesë, sepse ndryshe është me qenë aktive edhe ajo pjesë me qenë në tërësi në sistemin e Këshillit Gjyqësor e ndryshe kur nuk funksionon”, ka thënë Idrizi për Arbresh.info.
Në anën tjetër njohës të çështjeve të drejtësisë, zvarritjen e funksionalizimit të sistemit të drejtësisë në veri të Mitrovicës e shohin si mungesë të drejtpërdrejtë të sundimit të ligjit në këtë pjesë të Republikës së Kosovës, ku qytetarëve iu mohohet e drejta për të realizuar të drejtat e tyre që ua garanton ligji i aplikueshëm.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për “Arbresh.info”, thotë se procesi i integrimit të gjykatësve dhe prokurorëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës në mënyrë të vazhdueshme është duke u zvarritur që nga viti 2013, kur ishte arritur marrëveshja e parë mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.
Sipas tij, edhe përkundër arritjes së një numri të marrëveshjeve apo parimeve në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë lidhur me integrimin dhe funksionalizimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në këtë pjesë të Kosovës, fatkeqësisht zbatimi në praktikë edhe tre vite pas është duke u sfiduar.
“Në bazë të marrëveshjes prokurorët dhe gjykatësit serbë duhet të punojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në Kosovë, andaj në praktikë nëse të njëjtit nuk i zbatojnë obligimet e tyre atëherë në bazë të ligjit KGJK dhe trupat e saj të brendshme duhet të ndërmarrin veprime ligjore lidhur me disiplinimin e tyre ose në raste të shkeljeve të rënda edhe në propozimin për shkarkim nga këto funksione”, është shprehur Miftaraj.
Ndryshe, dekretimi i 40 gjyqtarëve serbë, vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar për Sistemin e Drejtësisë me 10 shkurt 2015 nga kryeministri kosovar, Isa Mustafa, ai serb, Aleksandar Vuçiq dhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini.
Sipas kësaj marrëveshje, kryetari i Gjykatës Themelore do të jetë serb nga Mitrovica e veriut, ndërkaq prokurori kryesor do të jetë shqiptar i Kosovës./Arbresh.info/Gita Lushi
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...