Ëndërroi shumë të bëhet kryeministër. Një burrështetas, që për shumë kënd ishte shpresa e vetme për Kosovën, arriti që në shtator të vitit 2017 të bëhet kryeministër i Kosovës. Bëhet fjalë për ish komandantin e UÇK-së dhe liderin AAK-së Ramush Haradinaj, shkruan portali “Arbresh.info”.
Viti 2017 u quajt si viti i Ramush Haradinaj, pas shumë sukseseve që arriti në politik-bërjen në vend duke u bërë personazhi më i përfolur këtë vit.
E gjithë kjo shpresë e madhe tek Ramush Haradinaj duket që i ka zhgënjyer qytetarët e Kosovës.
Analistët vlerësojnë se Ramush Haradinaj prej që është bërë kryeministër është tjetërsuar dhe ka zhgënjyer qytetarët të cilët e kanë cilësuar si një “burrë” të fjalës e veprës.
“Haradinaj prej që e ka marrë postin e kryeministrit është tjetërsuar, është bërë tjetër njëri, qytetarët e Kosovës kjo gjë i ka habitur për shkak se kanë mendu se Ramushi është më “burrë” se Ramushi do të veprojë me ndryshe nuk do të veproj si paraardhësit e tij. Sidomos me veprimet që kanë të bëjnë me rritjen e numrit të zv ministrave dhe rritjen e pagave për vete dhe për të tjerët i ka irrituar shumë njerëzit”, ka thënë analisti Imer Mushkolaj për portalin “Arbresh.info”
Për analistin politik Blerim Burjani, Ramush Haradinaj është një pleqnar i problemeve që përdor gjuhën e odave, por nuk ofron zgjidhje për shkak të mungesës së përkrahjes politike.
Ai e quan atë personazh konfuz në zgjedhjen e temave të mëdha të shtetit.
“Ramushi është personazh konfuz plotësisht ne temat e mëdha te shtetit, ne pa fuqinë e vet politike dhe përkrahje nga kuvendi shpesh ka përdorë një gjuhë të odave dhe të pakënaqësisë, personazhi i tillë është një pleqnar i problemeve por jo zgjidhjeve , pa kapacitete edhe ne aspektin kadrovik në qeveri , një kabinet i madhe glomaz dhe pa profesionalizëm fare , më shumë ministra dhe shumë pak punë me përplot njerëz anonim në kabinete qeveritare”, ka thënë Burjani për portalin “Arbresh.info”
Sipas analistit Burjani, edhe me ardhjen e Haradinajt në krye të qeverisë, Kosova vazhdon të mbetet në një ngërç politik.
“Deri me tash Kosova është në një ngërç politik që vazhdon të jetë pa zgjidhje , nuk pritet nga kjo qeveri kalimtare ndonjë punë e madhe përveç deri në zgjedhjet nacionale që mund te mbahen në vitin e ardhshëm ka maji ose qershori”, ka thënë Burjani.
Ramush Haradinaj gjatë vitit 2017 u përfol shumë, ishte personazhi që u bë kryelajm në ballinat e shumë mediave.
Qysh në fillim të këtij viti, me 4 janar Haradinaj u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse nga autoritetet franceze me në një fletë-arrest të Serbisë siç thuhej, për krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.
Kjo ngjarje bëri bujë të madhe për 4 muaj duke e ngritur figurën e Haradinaj si shumë të rëndësishme për popullin e Kosovës. U organizuan shumë protesta në vend e kudo që kishte shqiptarë.
Pas arrestimit, shteti serb kërkoi nga autoritete franceze ekstradimin e Haradinajt në Serbi, por pas shumë seancave e ankesave Haradinaj nuk u ekstradua në Serbi, porGjykata franceze në Colmar vendosi të lirojë Haradinaj me 27 Prill.
Pas lirimit nga autoritetet franceze, Haradinaj erdhi në Kosovë ku u prit nga shumë qytetarë e bashkëvendës.
Menjëherë pas ardhjes së tij në atdhe, pas shumë debateve Ramush Haradinaj, vendosi të bashkohet me Kadri Veselin e Fatmir Limaj duke krijuar një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet që u mbajtën me 11 qershor. Koalicioni PAN që ndryshe u quajt edhe si “Krahu i luftës” e nominuan si kandidat për kryeministër, Haradinajn.
Pas një gare të fortë mes PAN-it, LDK-së së bashku me AKR-në dhe nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje si e vetme, Ramush Haradinaj arriti të zgjidhet kryeministër i vendit me ndihmën e partisë së Behgjet Pavollit të cilët prishën marrëveshjen me LDK-në dhe iu bashkuan PAN-it për të bërë Haradinaj kryeministër të Kosovës.
Haradinaj mori postin e kryeministrit me 9 shtator për të dytën herë.
Ai ishte kryeministri i Kosovës për herë të parë nga data 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005, kur dha dorëheqje për t’iu përgjigjur procesit gjyqësor në Hagë.
Para pak ditësh, kryeministri Haradinaj e ka dorëzuar raportin e punës për 100 ditët e para të punës së tij. Dinamizmi është veçoria kryesore me të cilën është shquar Haradinaj në 100 ditët e para. Analistët e vlerësojnë se Haradinaj nuk ka mundur t’I realizojë premtimet që I ka dhënë.
Imer Mushkolaj ka thënë se punën që ka premtuar Haradinaj duan më shumë kohë.
“Haradinaj ka dhënë premtime që nuk kanë mujt me u realizu për 100 ditë, kam parasysh këtu dy çështje kryesore që ka thënë se do kryhen gjatë tre muajve siç është liberalizimi i vizave dhe transformimi i FSK-së në ushtri. Këto janë dështimet më të mëdha të zotit Haradinaj gjatë këtij 100 ditëshi”, tha Mushkolaj.
Mushkolaj ka thënë se 100 ditëshi i Haradinajt më shumë është karakterizuar me shpërndarje të pareve gjithandej ”më shumë se 200 vendime ku secila prej tyre ka kosto financiare”.
Analisti tjetër politik Bajrush Morina ia përmend dështimet që i ka pasur Ramush Hadatinaj për 100 ditë qeverisje.
“Ramush Haradinaj për 100 ditët e tij të vitit 2017 ka treguar se është I fortë prej gjoksit por jo I dijshëm prej mendjes. Ka marrë vendime antiligjore e antikushtetuese me të cilat do të përballet në të ardhmen, ka hyrë në “mal pa sakicë” sa I përket Demarkacionit, ka rritur pagën vetes mbi 100 %, ka fyer gazetarët disa herë, ka falur borxhe “ortakëve” të tij partiakë, ka emëruar dhëndrin e tij në një Bord qeveritar…dhe krejt këto veprime I ka bërë se “…ashtu ia ka marrë mendja!””, ka thënë Morina për portalin “Arbresh.info”
Sidoqoftë, fati i qeverisë Haradinaj, është i paqartë. Një qeveri me 24 parti, interesa dhe kalkulime të ndryshme e bën mjaft dekurajues mbrothësinë e saj. Haradinajt do t’i takojë sfida të stërmundimshme për të siguruar një baraspeshë mes qeverisë poliarkike. /MiraAvdimetaj/Arbresh.info
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...