Google ADS

Veprimet e paunifikuara të opozitës

08:10 | 8 Prill 2019
Arbresh.info

Ndonëse vazhdimisht paralajmërojnë rrëzimin e Qeverisë aktuale tri partitë opozitare, LDK-ja, LVV-ja e PSD-ja, nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në këtë drejtim. Derisa LVV-ja tashmë ka thënë se shumë shpejt do të nisë organizimin e protestave për ta çuar vendin në zgjedhje, LDK-ja ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë një formë të tillë të organizimit. Në anën tjetër zyrtarë të PSD-së kanë deklaruar se LDK-ja e LVV-ja, pos fjalëve, nuk kanë bërë asgjë deri tash lidhur me këtë çështje, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Me rastin e organizimit të tubimeve “Kundër PANHajnisë” Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ditëve të fundit ka nisur të paralajmërojë protesta për t’i dhënë fund Qeverisë aktuale, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Por kundër një forme të tillë është pozicionuar partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pasi që sipas zyrtarëve të këtij subjekti Qeveria duhet të rrëzohet nëpërmjet veprimeve të ndërmarra në Kuvend, jo nëpërmjet rrugëve. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e LVV-së shprehen të bindur se pjesëmarrja e qytetarëve në protestat e ardhshme do të jetë masive ndonëse ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur saktësisht do të organizohen ato.

Në anën tjetër as subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate (PSD), nuk ka dhënë ndonjë sinjal se mund t’u bashkohet protestave të thirrura nga LVV-ja ndonëse zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se PSD-ja është partia e vetme që deri më tash i ka ofruar nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se veprimet e përbashkëta të opozitës do të kishin ndikim shumë më të madh si te qytetarët, ashtu edhe te pushteti. Megjithëkëtë, mosunifikimi i tri partive opozitare lidhur me protestat sipas tyre nuk paraqet ndonjë fakt për t’u befasuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme