Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të edhe një çerdheje të re, kësaj radhe në Prishtinë.
“Arsimin e kemi prioritet e veçanërisht zhvillimin e edukimit të hershëm. Edukimi parashkollor është tejet i rëndësishëm për suksesin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimimin e mëtutjeshëm dhe në jetën e tyre sidomos profesionale”, tha Kryeministri Kurti dhe shtoi se investimet si ky sot e tjerat që do të vijnë, janë të nevojshme dhe shumë të mirëpritura për vendin dhe për shoqërinë tonë.
Ai tha se është shumë i lumtur, që kësaj lagje të Prishtinës dhe Prishtinës si kryeqytet, po i shtohet një çerdhe e re. Qytetit tonë i japin jetë e gjallëri njerëzit e saj e veçanërisht vogëlushët tanë dhe përkushtimi dhe angazhimi ynë e i secilit prej nesh duhet të jetë për ta e sidomos për ta, shtoi kryeministri.
Çerdhja, që po i fillon punimet sot, do të jetë me sipërfaqe 1300 metra katrorë dhe do të akomodojë 120 fëmijë të kryeqytetit. Ndërtesa dykatëshe do të ketë pesë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësirën teknike. Investimi ka vlerën 743 mijë euro.
Gjatë muajit tetor u vendosën gurthemelet e katër çerdheve në Miresh të Gjilanit, Ponoshec të Gjakovës dhe në Gjakovë, dhe sot në Prishtinë, ndërkaq në radhë planifikohet të jetë vendosja e gurthemelit të çerdhes në Podujevë, për të vazhduar pastaj me punime edhe në komuna të tjera, si në Prizren, Suharekë, Obiliq, Skenderaj, Pejë, Ferizaj, Shtime e Malishevë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Arbërie Nagavci,
Të nderuar deputetë të Republikës, Ardian Gola, Fitore Pacolli, Shqipe Selimi,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar në veçanti mësimdhënës e nxënës,
Mund të them se në këtë fund të muajit tetor po e mbyllim mbarë e mirë me vendosjen e gurthemelit të çerdhes në Prishtinë, këtu në mes të “Kolovicës” dhe “Kodrës së Trimave” në “Fushën e Pajtimit”.
Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin në këtë ngjarje kaq të vlefshme.
Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin e ndërtimit të shkollës në Ponoshec të Gjakovës dhe gurthemelin e çerdhes në Gjakovë. Ndërkaq, para asaj jave, vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes edhe në fshatin Miresh të Gjilanit.
Sot jemi në Prishtinë. Do të vazhdojmë me punime edhe në komuna të tjera, si në Prizren, Suharekë, Obiliq, Skenderaj, Pejë, Ferizaj, Shtime e Malishevë.
Stafi im tashmë më ka njoftuar, që në të radhës do të jem në Podujevë, në Besjanë, nga Anamorava në Dukagjin, nga komuna në komuna të tjera, duke lëvizur drejt realizimit të zotimeve tona.
Kemi bërë buxhetimin për ndërtimin e çerdheve të reja edhe për vitin e ardhshëm, për vitin 2023.
Çerdhja, që po i fillon punimet sot, do të jetë me sipërfaqe 1300 metra katrorë dhe do të akomodojë 120 fëmijë të kryeqytetit.
Është projektuar në dy kate dhe përmban pesë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësirën teknike.
Ky investim ka vlerën 743 mijë euro.
Arsimin e kemi prioritet e veçanërisht zhvillimin e edukimit të hershëm. Edukimi parashkollor është tejet i rëndësishëm për suksesin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimimin e mëtutjeshëm dhe në jetën e tyre sidomos profesionale.
Andaj, investimet si ky sot e tjerat që do të vijnë, janë të nevojshme dhe shumë të mirëpritura për vendin dhe për shoqërinë tonë.
Jam shumë i lumtur, që kësaj lagje të Prishtinës dhe Prishtinës si kryeqytet, po i shtohet një çerdhe e re.
Qytetit tonë i japin jetë e gjallëri njerëzit e saj e veçanërisht vogëlushët tanë.
Përkushtimi dhe angazhimi ynë e i secilit prej nesh duhet të jetë për ta e sidomos për ta.
Mezi po presim që dyert e çerdheve që po ndërtohen, të hapen për më meritorët e që janë fëmijët edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë.
Botën e tyre imagjinare për një jetë më të gëzueshme e me më shumë mirëqenie, le ta mundësojmë së bashku.
Përgëzime e urime të gjithëve! Paçi punime të mbara në ndërtimin e çerdhes! Ju faleminderit dhe e gëzofshi! /arbresh.info/
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...