“Tradhti” dhe “humbje” – kështu e komentojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës vendimin e Qeverisë së Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS – Republika e Kosovës. Por, jo të gjithë mendojnë njëjtë.
Millani nga Mitrovica e Veriut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, kujton djegien e veturave të serbëve, të cilët i konvertuan targat në RKS në fillim të procesit të riregjistrimit. Ai thotë se askush nuk mund ta kompensojë atë dëmtim.
“Targat ishin diçka për të cilën njerëzit ndërtuan barrikada, targat ishin diçka për të cilën njerëzit kanë pësuar, targat ishin diçka që ishte shtetësia e Republikës së Serbisë në këto zona, targat ishin shumë të lidhura me shtetësinë… kjo tani është shkatërruese”, thotë Millani.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 25 dhjetor se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.
Ai bëri të ditur se vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari, mirëpo nuk specifikoi nëse targat e veturave nuk do të mbuloheshin më me letra ngjitëse kur ta kalojnë kufirin – siç ndodh aktualisht. Sipas tij, ky vendim është marrë “për arsye praktike me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”. Ai shtoi se ky vendim “nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se çështja e targave për më shumë se dhjetë vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për dy vjet marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim.
“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social Facebook.
Ai shtoi se “ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it për të treguar se si do të veprojë pas 1 janarit nëse Serbia i largon letrat ngjitëse.
Stefani, qytetar serb në veri, beson se me këtë vendim të Qeverisë së Serbisë “nuk është arritur asgjë” për serbët nga Kosova.
“A ekzistojmë ne për ata? A mendojnë ata për ne? Dhe, çfarë vendimi është ky, çfarë vendimesh të zbrazëta janë [këto]. Nuk e kuptoj fare se në anën e kujt qëndron Beogradi zyrtar… për serbët në veri të Kosovës nuk është arritur asgjë”, thotë ai.
Në anën tjetër, Dragani dhe Zvezdani besojnë se ky vendim do të lehtësojë lëvizjen e serbëve nga Kosova, të cilët kanë riregjistruar veturat me targa RKS.
“Është në rregull për shkak të njerëzve, por jo për shkak të vendit [Serbisë]. Vendi [Kosova] njihet deri diku, por jemi në një situatë të tillë që duhet”, thotë Dragani.
“Të them të drejtën, ndoshta është mirë. Çfarë të bëjmë, thjesht ka shumë njerëz nga këtu që kanë dikë atje [në Serbi], një shtëpi atje dhe këtu. Mendoj se është mirë”, thotë Zvezdani.
Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e riregjistrimit në tetor të vitit të kaluar dhe kjo pasoi me disa kriza, ndër to ishte edhe dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës. Situata ka kulmuar në shtator të këtij viti kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Ndërkohë, sipas Qeverisë së Kosovës, që nga viti i kaluar, mbi 4.000 qytetarë në veri i kanë konvertuar targat e tyre në RKS.
Për çështjen e lëvizjes së lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Pse e mori tani Serbia këtë vendim?
Analisti politik në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, vlerëson se është shumë interesant momentumi që është përzgjedhur për t’u bërë ky hap “pasi aktualisht i tërë fokusi i opinionit publik në Serbi është drejtuar në çështjen e protestave dhe legjitimitetit të zgjedhjeve të 17 dhjetorit”.
Megjithatë, sipas tij, vendimi për targat ka peshë të madhe politike.
“Vendimi i Qeverisë së Serbisë për pranimin e targave të Kosovës është edhe një copëz e radhës në mozaikun e kompromiseve të domosdoshme drejt etapave finale në dialog dhe arritjes së marrëveshjes (finale). Pesha politike e këtij vendimi është shumë e madhe, sepse ka të bëjë me pranimin e një elementi të rëndësishëm që e simbolizon identitetin shtetëror të Kosovës, prandaj mund të konsiderohet si një lëvizje në procesin gradual të njohjes de facto të shtetit të Kosovës, nga shteti i Serbisë”, thotë Muhaxhiri.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd thotë se vendimi për targat është masë shumë e mirë, por “fatkeqësisht, pas gjithë abuzimeve, kjo nuk mund të merret si një sinjal i besueshëm se gjërat do të shkojnë më mirë”.
“Tabelat ishin ajo që vetë Vuçiq e trajtoi si temë të rëndësishme të parandalimit të njohjes së Kosovës. Natyrisht, ky ishte një abuzim me nevojën e njerëzve për të lëvizur lirshëm dhe çoi në shkeljen e të gjitha marrëveshjeve të tjera”, theksoi Janjiq.
Sipas tij, Serbia nuk do ta kishte marrë këtë vendim nëse “Qeveria e Kosovës nuk do të kishte përgatitur të njëjtin vendim deri më 1 janar, me të cilin, do t’i tërhiqte letrat ngjitëse”.
Nga Prishtina, Muhaxhiri vlerëson se vendimi i Serbisë për pranimin e targave RKS do të jetë “një plus për Serbinë në kontekstin e përgjithshëm të dialogut”.
Në këtë mënyrë, sipas Muhaxhirit, Serbia do të dëshmojë “vullnet” që gradualisht t’i pranojë edhe obligimet që i ka edhe nga marrëveshjet e kaluara me Kosovën.
“Mirëpo, është e rëndësishme për Vuçiqin dhe Serbinë që këtë ta bëjë me sa më pak dëme elektorale dhe politike. Ata janë të vetëdijshëm që domosdo duhet të veprojnë drejt njohjes de facto të Kosovës, por tash do të varet se çfarë forma dhe çfarë metoda do të përzgjedhin për ta bërë njohjen formale porse, në anën tjetër, për t’ia lejuar vetes një hapësirë për ta interpretuar ndryshe tek opinioni publik serb”, shtoi Muhaxhiri.
BE: Hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS – Republika e Kosovës, duke e cilësuar si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve.
BE-ja pret që edhe Kosova të ndërmarrë një vendim të ngjashëm, tha zëdhënësi Peter Stano.
“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut për lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur”, tha Stano në një përgjigje me shkrim.
Bashkimi Evropian, gjithashtu, vlerësoi se vendimi për targat është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [sticker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, shtoi Stano.
Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.
Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, e cila bllokoi rrugët që çonin në pikat e kalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Për t’i ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit një marrëveshje e përkohshme për targat.
Kjo marrëveshje bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja
2 Korriku njofton se ka përfunduar marrëveshja me akademinë ...
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajti...
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...