Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akoma nuk ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankesat e dy prokurorëve për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, sipas të cilit vendim, ankesat e tyre ishin të paarsyeshme.
Ndërkohë që Presidentja edhe pas vendimit, akoma nuk ka dekretuar emrin e kryeprokurorit të ri të shtetit, që sipas poentimit në konkurs, Blerim Isufaj mori më së shumti poenë për këtë pozitë. Organizatat që monitoruan procesin thonë se nuk ka afat ligjor kur Presidentja duhet ta dekretojë kryeprokurorin e ri.
Nga 21 prilli, kur Aleksandër Lumezit i skadoi mandati i kryeprokurorit të shtetit, ky institucion ka mbetur pa zot shtëpie. Këtë detyrë aktualisht po e ushtron Besim Kelmendi. Për konkursin për kryeprokuror të shtetit pati shumë ankesa nga shoqëria civile e prokurorë që kandiduan për këtë pozitë.
Pas përfundimit të konkursit, kandidati me më së shumti poenë doli Blerim Isufaj, emër i cili i shkoi Presidentes për dekretim, por që mbeti në pritje për shkak të ankesave që i dërguan në Kushtetuese dy prokurorët, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, të cilët e kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Isufajt për kryeprokuror.
Ditë më parë gjykata Kushtetuese i ka shpallur të papranueshme ankesat e dy prokurorëve për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të shtetit. Nga zyra e Presidentës së Kosovës kanë bërë të ditur se akoma nuk e kanë pranuar njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Bekim Kupina, këshilltar për medie i presidentes, ka thënë për RTK-në se pas pranimit të vendimit të plotë, Zyra e Presidentes do ta analizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe pastaj në bazë të vlerësimit të të gjithë procesit do të vendosë lidhur me veprimet e radhës.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për RTK se vendimi nuk ka mundur t’i dërgohet presidentes pasi që akoma nuk është publikuar as në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës as me këto ankesa të cilat kanë të bëjnë vetëm me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për shkak se është një marzhë e gjerë në të cilën duhet të vlerësoj presidentja e Republikës së Kosovës. Deri më tani nëse e shohim aspektin e kohëzgjatjes së vendimmarrjes duhet të kemi parasysh faktin se nuk ka një afat kushtetuese apo ligjor brenda të cilit obligohet presidentja e Kosovës të vendos përktazi me propozimin e Këshillit prokurorial të Kosovës për kryeprokurorin e shtetit, kuptohet që vendimmarrja në këtë rast duhet të jetë brenda një afati të arsyeshëm që ne vlerësojmë se deri më tani nuk kemi të bëjmë me shkelje të këtij afati”, tha ai.
Sipas Shalës, presidentja duhet ta analizojë mirë procesin dhe të tregohet e kujdesshme për emrin e kryeprokurorit që do ta udhëheq sistemin e drejtësisë për shtatë vjet.
“Në anën tjetër siç e kemi parë procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit ka qenë një proces shumë problematik dhe i kompromentuar përmes të cilit nuk mund të dal emri i një pozite kaq të rëndëisshme siç është kryeprokurori i shtetit dhe përkëtë arsye presidentja e republikës së Kosovës duhet të kujdeset që të mënjanoj këtë që përmes një procesi të kësaj natyre të dal edhe emri i kryeprokurorit të shtetit e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe që ka mandat 7 vite”, tha ai.
Tri organizata joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike – të cilat kanë monitoruar procedurat e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, kanë vlerësuar se procesi ka pasur të meta të shumta, të cilat, sipas tyre, e bëjnë të pakalueshëm kandidatin. Ato kanë kërkuar nga presidentja Osmani që t’i mënjanojë shkeljet që janë bërë gjatë procesit.
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...