Në gjykimin ku ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni, si dhe vet AKK ka paditur për shpifje organizatën joqeveritare “Çohu” dhe Qendrën e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, e cila vepron në kuadër të “Çohu”, është marrë një vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Sipas këtij vendimi, as Preteni, e as AKK nuk do të marrin 150 mijë euro nga organizata “Çohu” të cilët e kanë paditur për shpifje lidhur me një ngjarje për mosdeklarim të pasurisë së deputetëve që kishte ndodhur në vitin 2012.
Padia e AKK-së është hedhur si e palejuar, ndërkaq ajo e Hasan Pretenit është refuzuar si e pabazuar.
AKK kishte kërkuar nga “Çohu” 50.000 euro, e Preteni 100.000 euro.
Kallxo.com ka siguruar aktgjykimin përmes të cilit sqarohen arsyet e marrjes së këtij vendimi.
Gjithnjë sipas aktgjykimit, Gjykata vlerësoi se padia e AKK-së nuk është lejuar pasi që në bazë të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes autoritetet publike ndalohen nga paraqitja e kërkesës për kompensim për dëmin e shkaktuar nga shpifja ose fyerja.
Më tej, sa i përket padisë së Hasan Pretenit, aktgjykimi thotë se duke iu referuar provave të administruara kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar, kjo pasi që bazë të Ligjit Civil parashihet se zyrtarët publikë mund të paraqesin kërkesë për kompensim të dëmit nga shpifja apo fyerja privatisht dhe ekskluzivisht në kapacitetin e tyre personal, mirëpo në rastin konkret padia është ushtruar nga paditësi Hasan Preteni, derisa ishte drejtor i AKK- së dhe nga provat e administruara vërtetohet se deklaratat e paditësit në konferenca dhe mediume të cilat ishin objekt lëndor i kishte dhënë në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit, rrjedhimisht përfaqësuesit e institucioneve nuk janë të mbrojtur me këtë ligj.
Pra, përfaqësuesi i institucionit mund të kërkojë mbrojtje juridike si individ po jo të padisë në cilësinë e tij zyrtare, mirëpo, në rastin konkret Gjykata ka gjetur se paditësi Hasan Preteni nuk ka arritur të argumentojë me asnjë provë se deklarata e të paditurve kanë të bëjnë me shpifjen kundër tij si individ.
Rrjedhimisht, sipas këtij vendimi, paditësi Hasan Preteni nuk ka arritur me asnjë provë të argumentojë faktin se të paditurit përmes deklaratave të tyre kanë cenuar personalitetin e tij, ngase të gjitha provat i referohen paditësit si përfaqësues i institucionit në rastin konkret në cilësinë e Drejtorit të AKK- së.
Po ashtu, paditësit Preteni dhe AKK në bazë të këtij aktgjykimi obligohen në mënyrë solidare t’ia kompensojnë të paditurve shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 1,393.60 euro pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
Preteni dhe AKK në këtë gjykim po kërkojnë 150 mijë euro nga këto OJQ për shpifje.
Preteni dhe AKK po kërkojnë nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim përmes të cilit të paditurit “Çohu”, Lorik Bajrami dhe Artan Demhasaj, përfaqësues të kësaj organizate, si dhe Besnik Boletini nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, në mënyrë solidare atyre në emër të shpërblimit për dëmin jometarial për shkak të shpifjeve që i kanë bërë t’ia paguajnë në total shumën prej 150 mijë euro.
Sipas padisë, përfaqësuesit e OJQ-së “Çohu” në vitin 2012 në një konferencë për medie kishin deklaruar se Preteni ka mbrojtur 7 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mosdeklarim të pasurisë.
Në këtë proces gjyqësor paditësi pretendon se “Çohu” ka shpifur për të gjatë kohës sa ishte drejtor i AKK-së.
Sipas padisë, që të gjitha këto deklarime të prezantuara në konferencë për media nga OJQ “Çohu” më 16 shkurt 2012 i kanë publikuar në gazetën mujore “Preportr” në muajin prill të vitit 2012, në faqen 4, 5 dhe 6.
Preteni pretendon se është ndjerë i fyer nga ky publikim, përmes përhapjes së fakteve të pavërteta.
Më tej, në padi ai ka pretenduar se ky publikim ka sulmuar vlerat e tij personale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar rëndë nderin dhe autoritetin e tij personal si dhe të AKK-së.
Në anën tjetër, në përgjigjen në padi, organizata “Çohu” ka kërkuar nga Gjykata që padia e Pretenit të refuzohet si e pabazuar dhe jolëndore.
Ata e kanë quajtur të parregullt padinë e personit juridik (AKK-së) dhe personit fizik (Hasan Preteni), me arsyetimin se Preteni nuk mund të paraqitet si i dëmtuar dhe në të njëjtën kohë si person fizik ngase ‘ai është drejtor i saj’.
“Padia e paditësit të parë dhe paditësit të dytë është e paqartë, konfuze dhe e parregullt sepse paditësi i dytë nuk ka legjitimitet aktiv për ta përfaqësuar paditësin e parë veç me faktin se ai e drejton këtë organizatë sipas ligjit. Përkundrazi ka konflikt interesi sepse dëshiron që përmes paditësit të parë të realizojë një shpërblim të supozuar moral nga shpifja që pretendon se i është bërë atij nga Organizata Çohu”, shkruhet në përgjigjen në padi.
Sipas gjetjeve të prezantuara në konferencën për media më 16 shkurt 2012, 7 deputetë nuk e kishin deklaruar pasurinë e tyre në bazë të Ligjit dhe nuk kanë deklaruar një pjesë të bizneseve të tyre, “të cilat kanë pasur për obligim ta bëjnë”.
Për këto raste, “Çohu” thotë se drejtori i Agjencisë në një prononcim televiziv më 6 dhjetor 2011 kishte mbrojtur këta deputetë me arsyetimin se nuk e kanë shkelur Ligjin, pasi që bizneset i kanë pasur pasive dhe të njëjtat nuk kanë pasur qarkullim dhe asnjë aktivitet.
Më tej, sipas të paditurve, Preteni e AKK në padi nuk kanë arritur të sqarojnë se cilat ishin veprimet shpifëse ndaj Agjencisë dhe cilat ndaj paditësit të dytë, vetë Hasan Pretenit dhe se padia nuk specifikon se kur Preteni i referohet vetvetes, kur i referohet pozitës së tij apo kur po i referohet Agjencisë.
“Çohu” tërë kohë i është referuar Pretenit si drejtor i Agjencisë, që ka vepruar në kundërshtim me rregullat e brendshme, ashtu që ka shkelur ligjin dhe se Preteni në cilësinë e drejtorit apo vartësit e tij kanë falsifikuar dokumentet zyrtare duke ndërhyrë në formular përmes të cilave ka legalizuar përmbajtje të pavërtetë.
Rexhbeçaj: Unë jam gati dhe nuk frikësohem, jemi qind për qi...
Raporti Lela-Leo, ky i fundit thotë se Driloni është xheloz ...
Sulmet izraelite në Damask vrasin 15 njerëz, sipas mediave s...
Hovenieri e quan Gjeneralin Clark simbol të mbështetjes amer...
Austria merr fitore të rëndësishme ndaj Kazakistanit në Ligë...
Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë