Këshilltari i Albin Kurtit, Tienmu Ma, do të largohet nga Kosova, pasi Ministria e Punëve të Brendshme nuk i dha leje të qëndrimit. Lëvizja Vetëvendosje e akuzojnë ministrin Agim Veliu se po u hakmerret.
Vetë ministri për Gazetën Express thotë se largimi nuk ka të bëjë aspak me hakmarrje.
Shtetasi amerikan, Tienmu Ma i cili tash e disa vite vepron në Kosovë, së fundi i ka ardhur vendimi që duhet ta lëshojë Kosovën për arsye të mos përmbushjes së kushteve për leje qëndrim.
Ai ka qenë i angazhuar edhe në Zyrën e ish-kryeministrit Albin Kurti gjatë qeverisjes së tij si këshilltar.
Të gjitha këto punë që shtetasi amerikan Tienmu Ma i ka kryer në Kosovë, po i cilësojnë si hakmarrje ndaj tij avokati Tomë Gashi dhe anëtari i VV’së, Sami Kurteshi.
Por kështu nuk mendon ministri Agim Veliu që udhëheq Punët e Brendshme të shtetit.
Veliu tha se në asnjë mënyrë vendimi ndaj Tienmu Ma nuk është hakmarrës
“Në asnjë mënyrë nuk është hakmarrje, këtu asnjë rast nuk trajtohet në mënyrë selektive apo me porosi këtu rastet trajtohen në bazë të kërkesave me afate ligjore edhe pa ndonjë anim pa ndërhyrje nga askush”, duke shtuar se ajo është një procedurë e bazuar në udhëzime administrative dhe në ligje është procedurë që e udhëheqin komisionet që janë të formuara për ato çështje dhe organet kompetente.
Avokati i Tienmu Ma, Tomë Gashi tha se deportimi është hakmarrje ndaj tij për shkak të raportit të gylenistëve dhe punës së tij si këshilltar i ish-kryeministrit Kurti.
“Ky është një deportim i cili faktikisht është hakmarrje për shkak të raportit që ky e ka përpiluar dhe që Kuvendi i Kosovës e ka pranuar për deportimin e paligjshëm të gjashtë turqve dhe janë zyrtarë të MPB’së që janë përmendur në atë raport që kanë marrë pjesë në rastin e vendosjes për leje qëndrim të përkohshëm për Tienmu Ma. Revanshi i dytë është se Tienmu Ma ka qenë këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, do të thotë janë dy hakmarrje dhe është falsifikim i vendimit”, është shprehur Gashi.
Ai ka thënë se Tienmu Ma i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga komisioni i ankesave dhe vendimin për refuzim të leje-qëndrimin e ka quajtur të falsifikuar.
“Të gjitha kushtet që ata i kanë kërkuar në komisionin e ankesave ky i ka pasur. Ata duket që kanë falsifiku vet vendimin e vet pasi që nuk përputhet realiteti me atë që ata e kanë nxjerrë këtë vendim, këtë e kam parë në media dhe është i falsifikuar për shkak që provat që i kanë prezantu të cilat ata nuk i kanë kontestu duke përfshirë diplomën në origjinal që e kanë parë dhe që i është dhënë edhe kopja duke vazhduar me mjetet ofiqiare që Tienmu Ma i ka për me qëndru në Kosovë këta nuk i kanë kontestu fare dhe në vendim kanë thënë që ky nuk i ka përmbushë kushtet ligjore”, tha Gashi duke shtuar se Tienmu Ma është amerikani i parë që dëportohet nga Kosova pas 12 qershorit 1999.
Edhe më i ashpër ndaj këtij vendimi ka qenë Sami Kurteshi, anëtar i VV’së i cili më herët kishte ushtruar funksionin e Avokatit të Popullit dhe shtetasin amerikan Tienmu Ma e kishte pasur bashkëpunëtor në këtë institucion.
Kurteshi tha se vendimi është politiko-policore nga zyrtarët e MPB’së që kanë nënshkruar vendimin e të njëjtit kanë qenë të përmendur si të dyshuar për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.
“Kjo thjesht është një hakmarrje nga qarqet kriminale nga policia dhe qeveria e Kosovës si dhe nga zyrtarët e MPB’së që kanë inicuar këtë vendim kanë qenë të përmendur në raportin e hartuar nga Tienmu Ma me emër e mbiemër. Kjo është hakmarrje e drejtpërdrejt e Zyrës për të Huaj në MPB”, tha Kurteshi për Gazetën Express të mërkurën.
Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se Tienmu Ma nuk ka plotësuar kriteret ligjore për të vazhduar jetën e tij në Kosovë.
“Kërkesa e shtetasit të huaj për leje-qëndrim është refuzuar për shkak se nuk janë plotësuar kriteret ligjore sipas Ligjit për të Huajt”, thuhet në përgjigje.
Tutje Ministria që drejtohet nga Agim Veliu kanë deklaruar se vendimi për refuzim të leje qëndrimit është i plotfuqishëm dhe shtetasi i huaj është i obliguar t’i respektojë këto vendime.
“Vendimi për refuzim dhe Vendimi për Largim Vullnetar jane Vendime të plotfuqishme në momentin e nënshkrimit dhe shtetasi i huaj është i obliguar ti respektoj këto Vendime.
Gjithashtu edhe Vendimi nga Komisioni i Ankesave për të Huaj (komision qeveritar) është i plotfuqishëm”, kanë thënë nga MPB’ja.
Tienmu Ma ka punuar në Zyrën e Avokatit të Popullit dhe njihet edhe për hartimin e raportit për deportimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova në mars të vitit 2018 e që është shqyrtuar në Komisionin hetimor mbi dëbimin e shtetasve turq.
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...
Aktrim lidhur me ngjarjet, Gresa përplaset me Vullnetin, Dre...
Prishtina i bashkohet Paradës së Shqiptarëve në Tiranë, Veli...
Drenusha e quan Gjestin përndjekës të femrave
Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin