Veliu: Nuk ka marrëveshje me Vetëvendosjen pa u definuar pozita e Presidentit

15:11 | 22 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë se pa e definuar pozitën e Presidentit s’do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen për ndërtimin e Qeverisë. Ka thënë se çdo shtyrje e çështjes së definimit të pozitës së Shefit të Shtetit do ta rrezikonte pastaj koalicionin.

“Mendimi i të gjithëve dhe disponimi është që tani të definohen të gjitha përgjegjësitë që i kemi me Vetëvendosjen në koalicion, tani e jo më vonë. Sepse çdo gjë që lihet më vonë për diskutim rrezikon koalicionin në punën e tij të mëtejme”, ka thënë Veliu, në një bisedë për Express, të dielën.

Një ditë më parë, deputeti i LDK’së, Fatmir Rexhepi kërkoi të arrihet marrëveshje për Qeverinë ndërsa tha se Presidenti duhet të lihet për më vonë. Rexhepi deklaroi se edhe në organin më të lartë partiak ka thënë se s’ka alternativë tjetër pos marrëveshjes me Vetëvendosjen.

Agim Veliu këtë qëndrim të Rexhepit e sheh në kuadër të demokracisë dhe lirisë së mendimit në LDK.

Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28.

LDK, prej se kanë përfunduar zgjedhjet, e ka bërë të qartë se pozita e Shefit të Qeverisë i takon partisë fituese. Ndërkaq, Isa Mustafa po vazhdon të kërkojë pozitën e Presidentit, Kryeparlamentarit dhe janë pajtuar me VV që të kenë pesë Ministri dhe Zëvendëskryeministrin e Parë.

Megjithëkëtë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë pajtuar të ndajnë pozitat qeveritare, megjithëse, lideri i VV’së u tall publikisht, në një intervistë televizive, me idenë e Kryetarit të LDK’së që gjithqysh të merrte Ministrinë e Punëve të Brendshme. LDK, bazuar në raportimet për marrëveshje, do të marrë edhe , Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Infrastrukturës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe sektorin e arsimit.

Albin Kurti është pajtuar të marrë financat, diplomacinë, shëndetësinë, drejtësinë, ambientin dhe bujqësinë.

Kulturën dhe Kthimin ua kanë lënë minoriteteve.

Pavarësisht se po vazhdojnë bisedimet për Qeverinë e re, zyrtarë të dy partive kanë deklaruar se pajtohen për takime të reja.

“Nuk na mungon disponimi që të takohemi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta harmonizojmë tutje programin tonë”, ka thënë Veliu.

Kryetari i Podujevës shpreson se deri te enjten do të arrijnë marrëveshje me Vetëvendosjen dhe të definohen edhe votat e pakicave pro koalicionit qeveritar.

“Nuk është vetëm çështja e presidentit ajo me të cilën po diskutojmë me Vetëvendosjen. Koalicioni momental i bisedave LDK-VV i ka veç 57 vota. Ne nuk kemi informacione se çfarë ka bërë z.Kurti me votat e pakicave serbe”, ka thënë Veliu.

Lideri i VV’së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.

Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në Qeveri derisa ka dhënë premtime se do të përmirësojë arsimin, shëndetësinë, diplomacinë e ekonominë.

Të enjten është caktuar data e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Deri më tash kanë kaluar 25 ditë prej se janë certifikuar zgjedhjet ndërsa më shumë se dy muaj e gjysmë prej janë mbajtur zgjedhjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme