Veliu: KFOR-i është i gatshëm për patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës

01:10 | 9 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi, për të diskutuar lidhur me raportimet se pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë kanë hyrë në brendi të territorit të Kosovës, të premten, më 7 gusht.

Veliu ka thënë se gjenerali Risi e ka njoftuar se pjesëtarët e xhandarmërisë së Serbisë kanë qenë në territorin e Kosovës gjtë një patrullim të përbashkët me pjesëtarët e KFOR-it.

Veliu ka thënë se ka kërkuar që patrullimet e tilla të zhvillohen edhe në zonën kufitare midis Kosovës e Serbisë në rajonin e Kamenicës.

Sipas tij, kjo kërkesë e tij është mirëpritur nga gjenerali Risi, i cili ka shprehur gatishmërinë që KFOR-i “ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla”.

Veliu ka thënë se është dakorduar që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë për modalitetet e patrullimeve të përbashkëta dhe të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët. Aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave. Mirëpres, faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të rifillojnë edhe në ketë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e Gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla. Në fund të takimit u dakorduam që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme./ilirianews/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme