Google ADS

Vela-Petkoviqit: Ju duhet të ktheni eshtrat e të dashurve tanë që i mbani ende të shpërndara nëpër Serbi

21:09 | 9 Prill 2021
L G

Shefi i Stafit të Presidentit, Blerim Vela, i është kundërpërgjigjur drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një shkrimi në Twitter.

Derisa Petkoviq po pretendonte se po sulmohen objektet fetare serbe ne Kosovë, Vela ia ktheu duke i thënë se gjurma e shkatërrimit të Kosovës nga Serbia është e regjistruar mirë.

Vela gjatë ditës shpërndau një artikull ku ndër të tjera shkroi se Serbia po dezinformon me pretendime të pabazuara, e që sipas Velës kjo vetëm i rrit tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë fushatën e tyre të dezinformimit me pretendime të pabazuara, të cilat vetëm rrisin tensionet midis vendeve tona. Kosova ka dëshmon prej shekujsh harmoninë ndërfetare dhe është e përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore / fetare”, shkroi Vela.

Kësaj cicërimë iu përgjigj Petkoviq ku përmendi disa raste të pavërtetuara se si kinse qenkan sulmuar objektet religjioze në Kosovë.

Reagimi i Velës ka qenë i shpejtë ku thotë se Petkoviq dhe shteti i tij nuk janë në dispozicion për të dhënë leksione. Kjo për shkak se Serbia shkatërroi dhe dogji Kosovën gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Tutje, Vela i tha Petkoviqit se Serbia mbi të gjitha duhet t’i kthejë eshtrat e personave të zhdukur që aktualisht janë të shpërndara nëpër Serbi.

“Petkoviq nuk jeni në pozicion të na jepni leksione! Gjurma e shkatërrimit tuaj të sponsorizuar nga shteti juaj (Serbia) në Kosovë është regjistruar mirë. Mbi të gjitha, ju duhet të ktheni eshtrat e të dashurve tanë që i mbani ende të shpërndara nëpër Serbi”, është përgjigjur Vela./express/

Të ngjashme