‘Vdes’ Emergjenca e QKUK’së, 19 shtretër për gati 2 milionë banorë

09:08 | 10 Shtator 2018
Arbresh.info

Frekuenca ditore e pacientëve vetëm në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është rreth 250 pacient.

Kjo Klinikë aktualisht i ka 19 shtretër. Kanë qenë gjithsej nga muaji janar e deri në muajin gusht të këtij viti, mbi 37 mijë raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente.

Drejtori i kësaj Klinike, Basri Lenjani i tha Radios Evropa e Lirë se krahasuar me vitet paraprake, numri i përgjithshëm i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në këtë institucion është rritur.

“Në Klinikën Emergjente për janar-gusht ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 37 mijë raste. Prej tyre 70 për qind i takojnë sëmundjeve akute jetë-kërcënuese, derisa 30 për qind i takojnë gjendjeve aksidentale në komunikacion. Nga numri i përgjithshëm, në Klinikën Emergjente nga aksidentet në komunikacion kanë qenë 2635 njerëz, prej tyre 12 të vdekur”.

“Po ashtu kemi numër të shtuar që kërkojnë shërbime emergjente mjekësore, ku vazhdon avazi i vjetër dhe mosrespektimi i sistemit të referimit nga spitalet rajonale, duke i referuar rastet që mund t’i menaxhojnë ata. Derisa rastee që kërkojnë tretman sub-specialistik, mund t’i dërgojnë pa problem në Klinikën Emergjente, ku ne i pranojmë ato raste për trajtim”, tha Lenjani.

Ndryshe, Klinika Emergjente ka një sipërfaqe prej rreth 507 metrash katrorë dhe posedon 19 shtretër, gjë që, sipas Basri Lenjanit, nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat e pacientëve.

Shërimi jashtë Kosovës mbetet zgjidhje e vetme për fëmijët me sëmundje të rënda
Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Klinikës Emergjente është hartuar qysh në vitin 2007, por ajo ende nuk është funksionalizuar.

Lenjani shton se me funksionalizimin e këtij objekti që do të ofrojë shërbime emergjente, situata do të ndryshojë për të mirë.

“Renovimi i Klinikës Emergjente, e që janë siguruar aparatura të reja e edhe kemi arritur të sigurojmë një grup mjekësh me karakter emergjente, dhe një qasje të re, siç e kanë të rregulluar shtetet në Evropë, por edhe infermierë do të ndryshojë për të mirë duke ndihmuar pacientët në nevojë”, tha Lenjani.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se brenda objektit të Klinikës Emergjente janë bërë investime në infrastrukturë, por edhe në aparaturë.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, ka deklaruar se përveç kësaj edhe objekti i ri i Emergjencës është në ndërtim e sipër.

“Sa i përket Klinikës Emergjente, aty janë bërë investime në objektin e vjetër, ku është rinovuar tërësisht me vlerë mbi 300 mijë euro. Por, gjithashtu edhe Emergjenca e re është duke u ndërtuar”, tha Matoshi.

Sidoqoftë një problem tjetër që e përcjell Klinikën Emergjente është edhe mungesa e infermierëve.

Sipas zyrtarëve, kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, duke u nisur nga mungesa e kushteve për punë, pagave të ulëta dhe fluksit të papërballueshëm të pacientëve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme