Google ADS

Vdekja e 67 vjeçares dyshohet se nuk ndodhi gjatë aksidentit, por dikush e shtyu, Prokuroria nis hetimet

11:18 | 30 Qershor 2023
L G

67 vjeçarja, e cila vdiq të enjën në mbrëmje pas një aksidenti trafiku mes dy veturave në fshatin Samadraxh të Suharekës, dyshohet se nuk vdiq nga plagët e marra gjatë aksidentit, por pas aksidentit.

Lajmin për Arbresh.info e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

”Me date 29.06.2023, rreth orës 21:50 , është raportuar një aksident trafiku mes dy automjeteve ne fshatin Samadraxh, KK Suharekë. Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njëra nga pjesëmarrëset në aksident nga emergjenca është transportuar për në QKMF në Suharekë,  rreth orës 21:54 në QKMF mjeku kujdestar e ka vërtetuar vdekjen e viktimës, femër 67 vjeçare”, tha Bytyqi.

Sipas tij, e moshuara dyshohet se ka pasur një fjalosje pas aksidentit me njërin prej personave që ishin në veturën tjetër, gjë që ka bërë që tashmë e ndjera të rrëzohet dhe të mbes pa shenja jete.

Motivet e vdekjes, sipas tij, ende nuk dihen, mirëpo Prokuroria ka nisur hetimet.

“Nga mbledhja e dëshmive nga vendi i ngjarjes, dyshohet se viktima nuk ka ndërruar jetë si pasoj e lëndimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri me tani nuk dihen. Dyshohet se i dyshuari  pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe janë fjalosur me palën tjetër dhe në një moment e ka shtyrë viktimën, e cila është rrezuar. Viktima ka qene pasagjere në automjetin tjetër të përfshirë në aksident. Pra deri me tani nuk dihen shkaqet e vdekjes,  por prokurori  kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast ” Vrasje nga pakujdesia” tha Bytyqi për Arbresh.info.

I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit. Me urdhër te prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë./ Arbresh.info/

Të ngjashme